Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar dënimin me 1 vit e 6 muaj burg për ish-deputetin Asllan Dogjani, dënim që kërkohet të konvertohet në 3 vite shërbim prove.
Në seancën gjyqësore, prokurorja Manjola Kajana kërkoi që Dogjani të shpallet fajtor për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”.
Çështja lidhet me blerjen e një apartamenti në vitin 2006, me vlerë 134 mijë euro, për të cilin ish-deputeti u kallëzua nga biznesmeni Ilirjan Çela.
Sipas kallëzuesit, Dogjani e kishte blerë apartamentin duke paguar shumën përkatëse dhe jo duke e përfituar atë në këmbim të shërbimeve të konsulencës juridike që, sipas deklarimeve të ish-ligjvënësit, i kishte ofruar ndërtuesit.