Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka regjistruar një procedim penal pas një kallëzimi të depozituar ndaj deputetes së Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, ku ngrihen dyshime për disa vepra penale që lidhen me pasurinë, transaksionet financiare dhe ushtrimin e funksioneve publike.
Sipas materialit kallëzues, ndaj Spiropalit kërkohet hetim për dyshime mbi mosdeklarimin apo fshehjen e pasurisë, pastrimin e produkteve të veprës penale, shpërdorimin e detyrës, si dhe korrupsionin aktiv dhe pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë, të kryer në bashkëpunim.
Në kallëzim kërkohet gjithashtu që hetimet të shtrihen edhe mbi çdo vepër tjetër penale që mund të evidentojë SPAK gjatë verifikimit të rrethanave dhe dokumentacionit të paraqitur.
Materiali i dorëzuar në Prokurorinë e Posaçme pretendohet se përmban një numër të konsiderueshëm të dhënash dhe dokumentesh, përfshirë deklarimet e pasurisë, dokumentacionin e kompanive tregtare, lëvizjet e pronësisë, transaksionet financiare, burimet e të ardhurave, si dhe pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme.
Në dokumentacionin e kallëzimit përmenden pesë persona. Përveç deputetes socialiste Elisa Spiropali, në listë figuron edhe bashkëshorti i saj, Salarjon Totaj, si dhe tre individë të tjerë, identiteti i të cilëve është bërë pjesë e materialit të depozituar pranë SPAK.