Estonia ka miratuar zyrtarisht mbylljen e të gjitha pikave të kalimit rrugor në kufirin me Rusinë, duke nisur nga 1 dhjetori, në përgjigje të një sulmi të dyshuar sabotazhi ndaj një kompanie të industrisë së mbrojtjes, të cilin autoritetet në Talin ia kanë atribuar inteligjencës ushtarake ruse.
Masa përfshin të pesë pikat kufitare: Narva-1, Narva-2, Koidula, Luhamaa dhe Saatse. Qeveria estoneze bëri të ditur se vendimi mund të rishikohet pas gjashtë muajsh. Ndërkohë, shërbimet e transportit hekurudhor do të vijojnë normalisht.
Qeveria e cilësoi këtë vendim si “një përgjigje ndaj veprimeve armiqësore të vazhdueshme të Rusisë kundër Estonisë dhe vendeve të tjera evropiane”.
Kryeministri Kristen Michal deklaroi se Estonia “nuk do të lejojë që Rusia ta përdorë hapjen tonë kundër nesh”.
Vendimi vjen pas një tentative për zjarrvënie në ambientet e kompanisë së mbrojtjes Threod Systems, në Viimsi, pranë Talinit, gjatë natës së 14 nëntorit. Sipas autoriteteve, prodhimi dhe produktet e kompanisë nuk pësuan dëmtime.
Në lidhje me incidentin janë ndaluar tetë persona nga Letonia.
Ministri i Jashtëm, Margus Tsahkna, kishte njoftuar të dielën e kaluar se Estonia po shqyrtonte mundësinë e mbylljes së kufirit, duke iu referuar provave që, sipas tij, tregonin se sulmi ishte urdhëruar nga GRU-ja, agjencia ruse e inteligjencës ushtarake.
Kompanitë estoneze të industrisë së mbrojtjes janë vënë në shënjestër dy herë gjatë këtij viti. Shërbimi i Sigurisë së Brendshme të Estonisë deklaroi se të dyja operacionet ishin autorizuar nga shërbimet ruse të sigurisë.
Në fillim të kësaj jave, presidentja Ülle Madise i kërkoi kabinetit qeveritar të mos vepronte “nën ndikimin e emocioneve”, megjithëse pranoi se mbajtja hapur e kufijve kërkonte angazhim shtesë nga Kapo, agjencia estoneze e sigurisë së brendshme.
Estonia nuk është vendi i parë i Bashkimit Evropian që ndërmerr masa të tilla në kufirin me Rusinë. Finlanda mbylli kufirin e saj tokësor me Rusinë në dhjetor 2023, ndërsa Letonia, Lituania dhe Polonia kanë kufizuar ndjeshëm kalimet në kufijtë e tyre lindorë gjatë viteve të fundit.
Në praktikë, përpara këtij vendimi, vetëm tri nga pesë pikat kufitare ishin në funksion: ato në Narva, Luhamaa dhe Koidula. Rusia kishte pezulluar trafikun rrugor në pikën kufitare të Narvës që në shkurt 2024, megjithëse kalimet për këmbësorët vijonin të ishin të hapura.
Moska ka mohuar përfshirjen në sulmet e sabotazhit, ndërsa Ministria e Jashtme ruse e ka cilësuar vendimin e Estonisë si një akt “rusofobie”.