Spiropali akuzoi Ballukun për presion përmes drejtorëve, reagon kreu i Tatimeve: Jam nëpunës i ndershëm, mos ma përmend më emrin

Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj ka bërë një reagim publik pas akuzave të deputetes Elisa Spiropali, e cila një ditë më parë deklaroi se ai në bashkëpunim me Belinda Ballukun e kishin kërcënuar dhe i kishin bërë presione.

Teksa mohoi akuzat e Spiropalit, Binaj thotë se Administrata Tatimoreështë vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.

Sipas Binaj, kërcënimet kanë ardhur pasi në kontrollet që janë ushtruar në bizneset e saj janë “evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha.”

Ndërkohë drejtori i Tatimeve thotë se nuk e njeh personalisht Ballukun, por përmend vetëm takimet për shkak të detyrës.

Kujtojmë se gjatë emisionit “Top Story”, Spiropali ka akuzuar hapur Ballukun se me anë të njerëzve të saj në institucionet shtetërore, ka ushtruar presione ndaj njerëzve të saj, duke iu referuar kontrolleve pak muaj më parë në bizneset e bashkëshortit të saj.

Deklaratë publike e Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve, Ilir Binaj

Unë jam një qytetar shqiptar që i jam përgjigjur thirrjes për t’i shërbyer vendit pas vitesh në SHBA, ku kam punuar në fushën e auditimit financiar. Nga data 23 shtator 2024, kur kam marrë telefonatën e ministrit të Financave, e deri më sot, nuk e kam takuar kurrë personalisht zonjën Belinda Balluku, përveç takimeve publike për shkak të detyrës.

Sot kam vendosur të bëj këtë deklarim publik, pas një sulmi mediatik që më ka ardhur, jo për herë të parë, nga deputetja Elisa Spiropali.

Ajo që zonja deputete nuk tha, është se Administrata Tatimore e Republikës së Shqipërisë është vendosur nën një presion të paligjshëm nga deputetja në fjalë dhe bashkëshorti i saj, për llogari të bizneseve familjare.

Administrata Tatimore, në funksion të mbledhjes së të ardhurave dhe luftës ndaj evazionit, ka ushtruar kontrolle në sektorin e ndërtimit, në përputhje me planet e saj strategjike dhe operacionale. Kontrollet e ushtruara, bazuar në analizën e riskut apo denoncimet e qytetarëve, kanë përfshirë edhe subjekte që lidhen me znj. Spiropali.

Rezultatet qartazi nuk janë pëlqyer nga zonja dhe bashkëshorti i saj dhe, si pasojë, janë kërcënuar inspektorët tatimorë, madje edhe familjet e tyre. Për këtë ka fakte të verifikueshme dhe denoncime në organet ligjzbatuese. Procedura është e gjitha e dokumentuar dhe gjetjet e inspektimit janë tejet shqetësuese.

Kontrollet e ushtruara kanë evidentuar dyshime të arsyeshme për evazion tatimor të përmasave të mëdha. Për këtë arsye dhe pa asnjë lloj përjashtimi diskriminues, por sipas procedurave tatimore të ndjekura me të gjithë tatimpaguesit e dyshuar për evazion, dosjet po u referohen organeve ligjzbatuese për veprime të mëtejshme.

I kërkoj znj. Spiropali të mos e përmendë më emrin tim, sepse unë jam një nëpunës i ndershëm i shtetit që nuk merret me politikë dhe nuk lejoj askënd të cenojë dinjitetin tim dhe të familjes sime për shkak të detyrës.

Znj. Spiropali, si ish-drejtoreshë e Doganave, duhet ta kishte të qartë se presioni dhe intimidimi i administratës publike përbëjnë shkelje të rënda etike dhe ligjore.