Një ndërprerje e madhe globale në sistemet e Microsoft ka shkaktuar probleme të shumta në disa prej shërbimeve më të përdorura të kompanisë, përfshirë Outlook, Teams dhe platformën e inteligjencës artificiale Copilot.
Sipas faqes monitoruese Downdetector, vetëm të enjten në mbrëmje janë raportuar afro 140 mijë ankesa për probleme me shërbimin e email-it Outlook, nga përdorues në 74 shtete të ndryshme.
Microsoft ka bërë të ditur se ndërprerja nuk lidhet me ndonjë sulm kibernetik, por me probleme në infrastrukturën e saj teknologjike. Megjithatë, përpjekjet për rikthimin e plotë të shërbimeve nuk kanë dhënë ende rezultatet e pritshme.
Cilat shërbime janë prekur?
Problemet kanë përfshirë shërbimet e Microsoft 365, veçanërisht Outlook, Teams dhe platformën e inteligjencës artificiale Copilot.
Përdorues të shumtë kanë raportuar pamundësi për të dërguar ose marrë email-e, për të hapur dokumente të caktuara apo për të aksesuar të dhënat në kalendarët e tyre.
Ndërkohë, disa përdorues kanë mundur të vazhdojnë përdorimin normal të Microsoft Teams, përfshirë komunikimin përmes mesazheve dhe zhvillimin e takimeve online.
Ndërprerja prek miliona përdorues dhe kompani
Edhe pse përmasat e plota të problemit nuk janë konfirmuar, Downdetector ka regjistruar rreth 140 mijë raportime për probleme me Outlook nga 74 vende të botës.
Sipas të dhënave të publikuara nga Microsoft, më shumë se 430 milionë persona përdorin aplikacionet e Microsoft 365.
Ndërprerja ka pasur pasoja edhe për kompani dhe platforma të tjera teknologjike. OpenAI, kompania që qëndron pas ChatGPT, si dhe Anthropic, kanë raportuar probleme të lidhura me ndërprerjen e shërbimeve të Microsoft.
OpenAI ka njoftuar se po hetonte një problem që prekte lidhjet me shërbimet e Microsoft, duke bërë që disa prej mjeteve të saj të mos funksiononin siç duhet.
Probleme janë raportuar edhe nga institucione qeveritare dhe agjenci shtetërore, përfshirë qeverinë e Singaporit dhe agjencinë australiane të inteligjencës.
Në Mbretërinë e Bashkuar, disa qendra të mjekësisë familjare kanë paralajmëruar pacientët për vështirësi të mundshme në komunikim, duke u kërkuar që kërkesat urgjente t’i paraqesin përmes telefonit dhe jo me email apo formularëve online.
Çfarë shkaktoi ndërprerjen?
Microsoft ka përjashtuar mundësinë e një sulmi kibernetik, duke ia atribuar problemin ngarkesës së lartë të papritur në infrastrukturën e saj.
Sipas kompanisë, një numër i konsiderueshëm serverësh u bënë papritur të padisponueshëm. Si pasojë, trafiku u zhvendos drejt serverëve të mbetur funksionalë, duke rritur ndjeshëm ngarkesën mbi ta dhe duke përkeqësuar situatën.
Në përditësimin e publikuar të premten në mëngjes, Microsoft ka bërë të ditur se përpjekjet për zgjidhjen e problemit kanë shënuar vetëm një përparim të kufizuar.
Kompania po monitoron vazhdimisht aktivitetin në rajone të ndryshme, me qëllim vlerësimin e gjendjes së serverëve dhe identifikimin e masave që mund të ndihmojnë në rritjen e kapacitetit.
Në një deklaratë të mëparshme, gjiganti teknologjik kishte pranuar se ndërhyrjet e ndërmarra për riparimin e problemit nuk po jepnin rezultatet e pritshme.
Ekspertët paralajmërojnë për pasoja të gjera
Eksperti australian i sigurisë kibernetike, Troy Hunt, ka