Qeveria ka të drejtën të vendosë për shpërndarjen e barrës tatimore, por ka edhe përgjegjësinë të shpjegojë pse duhen më shumë taksa, si do të përdoren paratë dhe çfarë përmirësimi do të sjellin për qytetarët dhe bizneset. Në një ekonomi që po humbet njerëz, industri dhe kapacitete prodhuese, përplasja me sipërmarrjen është një luks që vendi nuk mund t’ia lejojë vetes.
EDITORIAL – Ndërsa qeveria kishte përqendruar të gjitha forcat në një front, duke u përpjekur prej javësh të shuante valën e protestave të studentëve me çdo mjet në dispozicion, deri te gjobat prej mijëra eurosh që tërhoqën edhe vëmendjen e mediave ndërkombëtare, një tjetër front u hap papritur.
Disa biznese, të lëna pa mbrojtje nga forcat e rendit, kishin pësuar dëmtime fizike në ditët dhe netët e trazuara. Ato po fillonin të përjetonin edhe frenim të aktivitetit. Duke menduar se qenë nën besën e qeverisë që po premtonte dëmshpërblime, madje reklamoi dhe platformën “Dëmi im”, ata u gjendën nën “zjarrin” goditës të paketës fiskale të propozuar papritmas për vitin 2027.
Por, si rrallëherë më parë, pothuajse e gjithë sipërmarrja, nga prodhuesit dhe eksportuesit te turizmi dhe investitorët e huaj, nga të vegjlit, profesionisti i lirë e deri te të mëdhenjtë, u bashkua kundër një pakete fiskale, të pajisur me një arsenal taksash shumë më të larta. Edhe më i fortë ishte reagimi i organizatave që përfaqësojnë investitorët ndërkombëtarë.
Paralajmërimet janë serioze: shtyrje apo anulim investimesh, mbyllje aktivitetesh, humbje vendesh pune dhe zhvendosje e kapitalit drejt vendeve të tjera të rajonit. Janë mesazhe që vështirë se mund të shpërfillen nga një ekonomi që ka nevojë për investime, teknologji, eksporte dhe vende pune më të mirëpaguara.
Ironia bëhet edhe më e dukshme, se kjo ndodhi në një kohë kur Kryeministri ka prezantuar “BESËN” si konceptin mbi të cilin duhet të ndërtohet marrëdhënia e re e shtetit me qytetarët dhe bizneset, duke e shpjeguar përmes besimit, empatisë, shërbimit dhe angazhimit.
Ironia kalon në sarkazëm kur kjo ndodhi pikërisht në ftesën për “DIALOG” që kryeministri shfaq me skenografi para ndërtesës së Kryeministrisë si mjet për të dëgjuar e për të zgjidhur shkaqet e zemërimit.
Mes “Besës” dhe “Dialogut”, biznesi pothuaj pa dallim i të gjithë sektorëve të ekonomisë, u gjend nën zjarrin e beftë tatimor.
Në fakt, sjellja e qeverisë nuk është e re. Ndryshimet tatimore shpesh janë prezantuar në fund të vitit, me kohë të kufizuar për konsultime, për t’u miratuar më pas përmes forcës së kartonit të shumicës parlamentare me pak retushime dhe pa reflektuar për thelbin e propozimeve nga biznesi.
Këtë herë, megjithatë, kjo praktikë po përballet me një rezistencë më të gjerë, pasi me sa duket për bizneset ka ardhur një pikë ku nuk mbajnë më.
Problemi tjetër është mungesa e një analize të sinqertë dhe të plotë të efekteve të paketës. Propozimet janë ndryshuar brenda një kohe jashtëzakonisht të shkurtër, disa herë edhe brenda 24 orësh. Një masë shpallet, një tjetër tërhiqet, një taksë ulet, një tjetër rritet, duke krijuar një kakofoni skenarësh.
Efektet surprizë mund të krijojnë suspansë në një film, por nuk janë mënyra se si duhet të funksionojë një qeveri serioze. Përkundrazi, duket sikur kjo mënyrë është zgjedhur qëllimisht që palët e interesuara edhe të duket se konsultohen, edhe të çorientohen në propozime që mund të mos jenë më në diskutim.
Politika fiskale nuk mund të hartohet si një seri njoftimesh të njëpasnjëshme. Ajo përcakton vendime që bizneset i planifikojnë për vite me radhë: sa të investojnë, sa të punësojnë, ku të hapin një fabrikë, nëse të zgjerojnë prodhimin apo të hyjnë në tregje të reja.
Një ekonomi nuk mund të ndryshojë sjelljen e saj me të njëjtën shpejtësi me të cilën qeveria harton një projektligj, e po ashtu edhe bizneset.
Për më tepër, rritjet e vazhdueshme të të ardhurave buxhetore nuk janë shoqëruar me të njëjtin përmirësim të shërbimeve publike dhe taksapaguesit nuk ndiejnë që këto para t’u kthehen mbrapsht, përkundrazi shohin që taksat e tyre i përpin vala e skandaleve të verifikuara nga SPAK-u për abuzime të mëdha me fondet publike.
Qytetarët dhe bizneset paguajnë taksa dhe kontribute, por detyrohen të ecin në rrugë të pambaruara prej vitesh, të paguajnë gati gjysmën e shpenzimeve shëndetësore nga xhepi apo të shohin fëmijët e të afërmit që vazhdojnë të ikin në emigracion me ritme si në fillim të viteve ’90.
Një tjetër pikëpyetje lidhet me mënyrën se si shpërndahen paratë publike. Ndërsa biznesit i kërkohet të kontribuojë më shumë, një pjesë e konsiderueshme e burimeve buxhetore vazhdon të angazhohet në kontrata afatgjata koncesionare dhe Partneritete Publike-Private.
Detyrimet që rrjedhin prej tyre kufizojnë hapësirën për të financuar politika të tjera zhvillimore. Ndërsa koncesioneve të dekadës së fundit u ka dalë tashmë boja, një formë e fshehur e tyre është shtetëzimi i ekonomisë përmes disa shërbimeve që po merren nga shteti.
Sa më shumë të mbështetet ekonomia te buxheti dhe kontratat me shtetin, aq më i madh bëhet rreziku që konkurrenca të zbehet dhe mundësitë të përqendrohen në një numër të kufizuar operatorësh. Kjo nuk është rruga drejt një ekonomie të lirë e konkurruese.
Paratë publike
Ndërsa koncesioneve të dekadës së fundit u ka dalë tashmë boja, një formë e fshehur e tyre është shtetëzimi i ekonomisë përmes disa shërbimeve që po merren nga shteti. Sa më shumë të mbështetet ekonomia te buxheti dhe kontratat me shtetin, aq më i madh bëhet rreziku që konkurrenca të zbehet dhe mundësitë të përqendrohen në një numër të kufizuar operatorësh. Kjo nuk është rruga drejt një ekonomie të lirë e konkurruese.
Në të njëjtën kohë, Shqipëria po humbet terren përballë vendeve fqinje edhe në konkurrencën fiskale. Shqipëria sot është ndër vendet me barrën më të lartë të taksave.
Edhe pasi qeveria u tërhoq nga rritja e tatimfitimit në 17%, Shqipëria vijon të ketë normën 15%, më të lartë se shumica e ekonomive të Ballkanit Perëndimor.
Propozimi për rritjen e tatimit mbi dividendin nga 8% në 15% do ta shtonte më tej barrën mbi fitimet që u shpërndahen aksionerëve.
Konkurrueshmëria nuk varet vetëm nga taksat. Por kur një vend ofron shërbime publike më të dobëta, infrastrukturë me probleme, mungesë të fuqisë punëtore dhe pasiguri rregullatore, normat më të larta tatimore bëhen një tjetër arsye që investitorët të shohin alternativa të tjera.
Kjo ndodh pikërisht në prag të një faze vendimtare të integrimit europian. Afrimi me tregun e Bashkimit Europian do t’i ekspozojë kompanitë shqiptare ndaj një konkurrence shumë më të fortë, standardeve më të larta dhe nevojës për investime të mëdha në teknologji, produktivitet dhe cilësi.
Në një tërheqje taktike, nën presionin e protestave që vijojnë prej muajsh, qeveria nxitoi të hartojë një paketë në dukje populiste, që kujdeset për të varfrit dhe për shtresën e mesme, duke propozuar uljen e TVSH-së për produktet ushqimore dhe të taksës së qarkullimit për naftën, ndërsa barrën e kompensimit të efekteve buxhetore ua kaloi bizneseve, përmes rritjes së taksave të tjera.
Por qeveria duket se harron se biznesi gjeneron pjesën dërrmuese të aktivitetit ekonomik, krijon vende pune dhe realizon investime. Goditja ndaj biznesit është, në fund të fundit, edhe goditje ndaj individëve dhe konsumit.
Nëse sipërmarrjet detyrohen të punojnë në një mjedis të pasigurt, me taksa më të larta, ndryshime të paparashikueshme ligjore, ato do të kenë më pak mundësi të investojnë, të hapin vende të reja pune apo të rrisin pagat.
Efekti bumerang
Por qeveria duket se harron se biznesi gjeneron pjesën dërrmuese të aktivitetit ekonomik, krijon vende pune dhe realizon investime. Goditja ndaj biznesit është, në fund të fundit, edhe goditje ndaj individëve dhe konsumit. Nëse sipërmarrjet detyrohen të punojnë në një mjedis të pasigurt, me taksa më të larta, ndryshime të paparashikueshme ligjore, ato do të kenë më pak mundësi të investojnë, të hapin vende të reja pune apo të rrisin pagat.
Për më tepër, nuk ka asnjë garanci se ulja e TVSH-së për ushqimet do të reflektohet plotësisht në çmimet për konsumatorët sa kohë që ekonomia shqiptare nuk ka konkurrencë.
Në kahun tjetër, kjo masë rrezikon të rëndojë më tej pozitën e prodhimit vendas, pasi mund t’i bëjë më konkurruese produktet e importuara.
As paketa fiskale dhe as projektbuxheti nuk parashikojnë masa domethënëse për nxitjen e industrisë, e prodhimit vendas dhe bujqësisë, sektorë që prej vitesh po përballen me vështirësi dhe kanë domosdoshmërisht nevojë të bëhen më konkurrues, që do të ishte një zgjidhje më afatgjatë dhe për uljen e çmimeve të ushqimeve.
Shqipëria ka nevojë për politika ekonomike të qëndrueshme, jo për ndërhyrje populiste, apo dhe hakmarrëse.
Ndryshimet fiskale duhet të bazohen në analiza të besueshme, konsultime reale me grupet e interesit dhe një strategji afatgjatë, që merr në konsideratë konkurrueshmërinë e vendit.
Qeveria ka të drejtën të vendosë për shpërndarjen e barrës tatimore, por ka edhe përgjegjësinë të shpjegojë pse duhen më shumë taksa, si do të përdoren paratë dhe çfarë përmirësimi do të sjellin për qytetarët dhe bizneset.
Në një ekonomi që po humbet njerëz, industri dhe kapacitete prodhuese, përplasja me sipërmarrjen është një luks që vendi nuk mund t’ia lejojë vetes. Monitor