Dy kompani të specializuara në analizën e blockchain-it kanë identifikuar me nivel të lartë besueshmërie grupin e hakerëve “Lazarus”, të lidhur me shtetin e Koresë së Veriut, si autorët e dyshuar të sulmit ndaj Binance, platformës më të madhe në botë të shkëmbimit të kriptomonedhave.
Grupi i hakerëve “Lazarus”, i njohur gjithashtu me emrin “TraderTraitor”, dyshohet se qëndron pas sulmit kibernetik që çoi në vjedhjen e rreth 6.3 miliardë dollarëve nga Binance.
Përfundimi vjen nga dy kompani të njohura të analizës së blockchain-it, TRM Labs dhe Chainalysis, të cilat thonë se kanë siguruar të dhëna të forta që lidhin sulmin me këtë grup të mbështetur nga shteti i Koresë së Veriut.
Ky është vetëm rasti i fundit në një seri sulmesh kibernetike që dyshohet se kanë lidhje me Phenianin. Koreja e Veriut, një prej vendeve më të varfra në botë, ka kufizime të rrepta në aksesin e qytetarëve në internet.
Ekspertët akuzojnë qeverinë e Kim Jong Un se mbështetet te krimi kibernetik për të siguruar të ardhura, akuza që autoritetet koreano-veriore i kanë mohuar vazhdimisht.
Një nga sulmet më të bujshme të dyshuara të këtij vendi ndodhi në vitin 2014, kur objektiv ishte kompania amerikane Sony Pictures. Sulmi erdhi pas prodhimit të filmit hollivudian “The Interview”, i cili trajtonte një skenar imagjinar për një atentat ndaj liderit Kim Jong Un.
Hakerët arritën të ekspozonin mijëra email-e private dhe informacione komprometuese të shkëmbyera mes drejtuesve të studios.
Ndërkohë, vitin e kaluar, Byroja Federale e Hetimit në SHBA (FBI) deklaroi se Koreja e Veriut ishte përgjegjëse për vjedhjen e 1.5 miliardë dollarëve nga platforma e kriptomonedhave Bybit.
Pas këtij sulmi, FBI bëri të ditur se grupi TraderTraitor kishte nisur me shpejtësi pastrimin dhe shpërndarjen e aseteve të vjedhura, duke i konvertuar ato në Bitcoin dhe asete të tjera dixhitale, me synimin për t’i kthyer më vonë në para tradicionale.
FBI e ka akuzuar në mënyrë të përsëritur Korenë e Veriut për aktivitete të paligjshme kibernetike dhe vjedhje të aseteve virtuale.
Sipas raportimeve, vendi ka zhvilluar në mënyrë sistematike kapacitetet e tij kibernetike, duke përzgjedhur studentët më të talentuar nga universitetet dhe duke i orientuar drejt grupeve të specializuara të hakerëve, të cilat mbikëqyren nga shërbimet e inteligjencës.
Një pjesë e operacioneve kibernetike dyshohet se kryhen nga territori i Kinës, pranë kufirit me Korenë e Veriut, sipas analizave të kompanive të teknologjisë.
Aktiviteti i këtyre grupeve ka qenë kryesisht i përqendruar te përfitimi financiar. Hakerët koreano-veriorë dyshohen gjithashtu për vjedhjen e kriptomonedhave me vlerë 620 milionë dollarë në vitin 2022.
Si u realizua sulmi ndaj Binance?
Në rastin më të fundit, agjentët koreano-veriorë dyshohet se kanë shfrytëzuar një mekanizëm të posaçëm autorizimi për të manipuluar një portofol dixhital të Binance, të njohur si “hot wallet”, i cili është i lidhur drejtpërdrejt me internetin.
Sipas TRM Labs, sulmuesit mund të kenë siguruar akses në sistemin e nënshkrimit të transaksioneve të këtij portofoli, duke bërë të mundur që fondet të transferoheshin automatikisht drejt adresave të kontrolluara prej tyre.
Binance nuk i është përgjigjur drejtpërdrejt pyetjeve të BBC-së lidhur me dyshimet për përfshirjen e Koresë së Veriut.
Fillimisht, kompania kishte deklaruar se dyshonte që laptopi i një inxhinieri ishte komprometuar, duke mundësuar tërheqje të paautorizuara. Megjithatë, më vonë pranoi se sulmi kishte qenë më i gjerë.
“Hetimi ynë i mëtejshëm ka zbuluar pika të tjera të komprometimit”, deklaroi bashkëdrejtuesi ekzekutiv i Binance, Richard Teng.
Sipas një zëdhënësi të kompanisë, deri të premten ishte arritur të sigurohej rreth 80% e aseteve të vjedhura, ndërsa pjesa tjetër vijon të mbetet e pagjetur.
Nëse dyshimet konfirmohen, ky sulm rekord do të tregonte nivelin e avancuar të kapaciteteve të grupeve të dyshuara koreano-veriore në fushën e sulmeve kibernetike.
Ekspertët paralajmërojnë se zhvillimi i inteligjencës artificiale po u ofron aktorëve të kërcënimeve kibernetike mënyra të reja për të kryer sulme, përmes automatizimit dhe mjeteve gjithnjë e më të sofistikuara.
Edhe në rastin e Binance, nuk përjashtohet mundësia që inteligjenca artificiale të jetë përdorur për të depërtuar në sistemet e kompanisë.
Sipas Chainalysis, sulmuesit kanë përdorur modele të pastrimit të parave që kompania thotë se nuk i kishte hasur më parë.