Teatri Kombëtar feston 80 vjetorin e krijimit, por godina e vjetër ku janë dhënë me qindra shfaqje dhe u formuan aktorët më të mëdhenj të skenës shqiptare nuk është më. Ky vit jubile e gjen Teatrin Kombëtar pa një godinë të vetën, duke fshirë një pjesë të historisë së tij.
Godina e Teatrit Kombëtar u ndërtua nga arkitektë italianë dhe shfaqja e parë u vendos në skenë në vitin 1945. Ndërkohë në 17 Maj të vitit 2020 kjo godinë historike u shemb për t’i lënë radhën një ndërtese të re, që përveçse do të shërbej si Teatër, do të jetë edhe një kullë disa katëshe.
Shumë artistë, shoqëria civile protestuan kundër shembjes së godinës. Ata kërkonin rinovimin e Teatrit dhe ruajtjen e ndërtesës si pjesë e trashëgimisë dhe traditës kulturore të Shqipërisë. Por qeveria kishte një plan tjetër, duke mos marrë parasysh zërin e shumë artistëve, të cilët qëndronin ditë e natë në godinë, kur pabesisht natën e 17 majit fadromat e Bashkisë së Tiranë i vunë rruspën.
“Topazi” ishte shfaqja që në majin e vitit 1945, inauguroi Teatrin Popullor, që më pas do të merrte emrin Teatri Kombëtar. Copëza të kësaj shfaqje u risollën sot në skenë nga artistët e Teatrit Kombëtar, por jo në godinën që u vu në skenë për herë të parë.
Teatri Kombëtar ka qenë shtylla kryesore e artit skenik në Shqipëri, duke nxjerrë në pah shumë aktorë, regjisorë dhe dramaturgë të njohur shqiptarë.
Ka qenë vendi ku u formuan aktorët më të mëdhenj shqiptarë, si Ndrek Luca, Margarita Xhepa, Reshat Arbana, Tinka Kurti, Robert Ndrenika, dhe shumë të tjerë.
Në Teatrin Kombëtar janë vënë në skenë vepra të autorëve shqiptarë dhe ndërkombëtarë, si Henrik Ibsen, Bertolt Brecht, Molière, Shakespeare etj.
Sot bëhen 5 vite pa Teatër, ku shumë artistë duket se e kanë harruar tashmë…