8 arsyet përse Arben Malaj nuk duhet t’i bëjë publike ftesat nga partitë e reja

Ish-ministri Arben Malaj, publikoi disa ditë më parë një shkrim për ftesën që kishte marrë nga Partia Mundësia e Agron Shehajt për t’u bërë pjesë e degës nr.5, ku ai banon dhe voton.

Në shkrimin e tij të gjatë, Malaj shprehej se kishte respekt për votuesit socialistë dhe nuk mund të kalonte nga një parti në tjetrën, teksa ndër të tjera në rreshta akuzonte Shehajn se kishte nisur një fushatë me agresivitet në rritje dhe jo me një platformë qeverisëse bindëse për reformat në politikë dhe ekonomi. 

Analiza e tij u bë virale dhe kaq mjaftoi që mediat pranë qeverisë ta cilësonin telefonatën e vajzës që telefonoi dhe Malajt si një tentativë të Mundësisë për t’i ofruar ish-ministrit një tjetër post, pasi ka dalë jashtë skenës politike prej shumë vitesh.

Por, ashtu si 8 arsyet e tij që refuzimin e ftesës së Mundësisë, ka 8 arsye të tjera që Arben Malaj nuk duhet t’i bëjë publike ftesat nga partitë e reja.

1.  Arben Malajt nuk iu ofrua asnjë post publik, pasi nëse Partia Mundësia do të donte ta kishte në listat e saj të deputetëve, atëherë nuk do ta kishin telefonuar punonjëset, por me shumë mundësi do të ishte vetë Agron Shehaj që do ta kishte takuar personalisht, siç bëhet në të tilla raste.

2. Partia Mundësia dhe kryetari i saj Agron Shehaj e kanë bërë të qartë se nuk do të kenë në strukturat e tyre asnjë ish-ministër apo zyrtarë të majtë.

3. Arben Malaj thotë se i është identifikuar zonjës në telefon se ishte ai me emër dhe mbiemër, por a e ka ditur zonja që bëhej fjalë për ish-ministrin socialist. Zonja në fjalë mund të bëjë qindra telefonata në ditë, ndërkohë që me emrin Arben Malaj janë të paktën 20 qytetarë në Shqipëri. Pra, ekziston një mundësi shumë e madhe që zonja pas telefonatës t’ia ketë bërë ftesën si për çdo qytetar të zakonshëm.

4. Dje ishte “Mundësia”, në vijim mund të vijnë ftesa nga partitë e tjera. Çdo parti e re, edhe nëse e fton zotin Malaj për të qenë pjesë e saj, nuk e fton për shkak të ftohjes së marrëdhënieve të tij me Ramën, por për shkak se ai është një nga profesionistët më të mirë të ekonomisë që ka Shqipëria, ndaj jo çdo gjë është politike.

5. Malaj thotë se Shehaj nuk duhet të bëjë fushatë me agresivitet në rritje por të krijojë një platformë qeverisëse bindëse për reformat në politikë dhe ekonomi. Kjo nuk është një arsye për të refuzuar ftesën e “Mundësisë”, ky është një sulm personal ndaj një partie të re që krijon të largojë nga pushteti ata që kanë keqqeverisur vendin në më shumë se 30 vite.

6. Malaj thotë se Shehaj duhet të jetë më demokratik brenda partisë së tij, por pse? A është në dijeni zoti Malaj se brenda Partisë Mundësia nuk ka demokraci? Ka tentuar të garojë dhe nuk e kanë pranuar? Derisa të japë fakte, nëse ekzistojnë, këto akuza janë vetëm prapashtesa të fjalëve të kryeministrit Rama në fushatën e tij denigruese ndaj partive të reja.

7. Arben Malaj është i shqetësuar se Agron Shehaj bllokoi foltoren e Kuvendit, por a i mban mend ai sherret që partia e tij ka bërë në Kuvend e kur ishte vetë pjesë e tyre. Si askush tjetër më parë, Shehaj vetëm bllokoi foltoren, nuk u kap me asnjë efektiv të Gardës apo deputetë. Madje , edhe kur u sulmua fizikisht ruajti qetësinë. Po ju zoti Malaj, do ishit kaq i qetë në një situatë të atillë?

8. Të dalësh me një reagim të gjatë për një çështje që duhej të ishte mbyllur në një telefonatë disa sekondëshe, nuk është asgjë tjetër veçse një tentativë për të marrë vëmendje publike, e nëse marrim parasysh se po sulmon një parti të re opozitare, ngrihen edhe dyshimet se Arben Malaj mund të jetë duke kërkuar vëmendjen e dikujt, që s’po e themi për momentin.