Pas më shumë se 7 orë takim me zv.kryeministren Belinda Balluku, kreu i qeverisë Edi Rama është larguar nga ambientet e Kryeministrisë. Mësohet se Rama do të jetë në një darke punë me Komisioneren për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos.
Kreu i qeverisë zhvilloi një takim “kokë me kokë” me Ballukun, të cilën sot GJKKO e pezulloi nga detyra dhe njëkohësisht e ndalon që të largohet jashtë vendit, pas hetimeve për tunelin e Llofarasë dhe Unazën e Madhe.
Këtij takimi iu bashkua edhe ish ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja. Ndërkohë Balluku nuk është larguar ende nga ambientet e Kryeministrisë.
Pak më herët, SPAK doli me një njoftim zyrtar për hetimet dhe akuzat ndaj Ballukut sa i takon tunelit të Llogarasë dhe Lotit 4 të Unazës së Madhe në Tiranë, ku numri dy i qeverisë akuzohet për veprën penale: “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
SPAK zbardhi edhe rolin e vartësve të saj, kreut të ARRSH, Gentian Gjyli dhe drejtorit aktual të KESH, Erald Elezi, të cilëve i është komunikuar masa e arrestit në shtëpi. Balluku, Gjyli dhe Elezi akuzohen se kanë paracaktuar fituesit në dy tenderët.