51 shoqata dhe dhjetëra personalitete të Diasporës i kanë dërguar një kërkesë zyrtare kryeparlamentares Lindita Nikolla dhe Kuvendit të Shqipërisë.
Ata kërkojnë veprime të menjëhershme nga Kuvendi i Shqipërisë për të ndryshuar Kodin Zgjedhor, duke e bërë kështu të mundur votimin e shqiptarëve nëpër ambasadat dhe qendrat konsullore në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2025.
Shoqatat theksojnë se mosmbajtja e premtimit për votën e diasporës rrezikon raportet me qeverinë dhe institucionet e vendit.
Po ashtu, në letër evidentohet edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, më datë 9 dhjetor 2022, e cila ka konstatuar cenimin e të drejtës kushtetuese të votës së emigrantëve në zgjedhjet për Kuvendin, për shkak të boshllëkut ligjor, dhe ka obliguar Kuvendin për plotësimin e boshllëkut ligjor brenda një viti.
“Shumë pjesëtarë të diasporës shqiptare sot me të drejtë ndjehen të neglizhuar nga shteti shqiptar, duke qenë se kërkesat e vazhdueshme për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes nuk janë marrë parasysh. Votimi nga jashtë për bashkatdhetarët tanë ka qenë edhe një nga premtimet më kryesore gjatë të gjitha Samiteve të Diasporës”, thuhet ndër të tjera në shkresë.
Ata theksojnë se mosmbajtja e këtij premtimi ndikon drejtpërdrejt në raportet e diasporës me shtetin amë duke ulur, sipas tyre, besueshmërinë ndaj institucioneve të shtetit shqiptar.


