50 vjetori i Altin Dumanit

Ndoshta nuk do e kishte menduar kurrë që një ditë do të ishte një nga njerëzit më të përfolur në Shqipëri, por sot, të gjithë sytë e veshët janë te ai dhe institucioni që drejton.

Altin Dumani u lind në Shupenzë të Dibrës në 24 Tetor të vitit 1974, teksa për herë të parë u fut në rrugën e drejtësisë në vitin 1999, kur u zgjodh prokuror në Sarandë.

Vetëm 1 vit më pas, atij do t’i besohej posti i kryeprokurorit të Tropojës, që shumë të tjerë e kishin refuzuar për shkak të problematikave në atë kohë, por që “prokurori i hekurt” siç e njohin të gjithë, vendosi ta pranojë.

Në procesin gjyqësor për tragjedinë e Gërdecit, të pranishmit panë se si kërkoi 3 dënime të përjetshme ndaj të pandehurve kryesorë të asaj tragjedie, me një qëndrim të akullt që tregonte se nuk bënte kompromis me drejtësinë.

“Lufta ndaj krimit është më prioritare se komoditeti zyrës”! Kështu u përgjigj kur e pyetën se përse la komoditetin e Prokurorisë së Apelit për t’iu përkushtuar asaj që sot njihet si drejtësia e re, e që e drejton prej 2 vitesh.

Deri para pak vitesh, shumë pak shqiptarë do ta mendonin se përballë drejtësisë do të viheshin deputetë, ministra, zv.kryeministra e politikanë që kishin drejtuar vendin në këto 30 e ca vite demokraci.

Por këto ditë, kur kemi të arrestuar disa ministra për korrupsion, ish-zv.kryeministrin në kërkim ndërkombëtar, ish-kryeministrin Berisha në “arrest shtëpie” dhe ish-Presidentin Ilir Meta në “arrest me burg”, e disa kryebashkiakë e zyrtarë të lartë nën hetim, është ndezur një shpresë se në këtë vend do të bëhet drejtësi.

SPAK-u i drejtuar nga Altin Dumani është një nga institucionet që shqiptarët i besojnë më shumë, çfarë tregon edhe punën e mirë që është bërë deri më tani, pavarësisht se ka ende shumë punë për t’u bërë.

Sot, Altin Dumani feston 50 vjetorin e lindjes nën petkun e njeriut që shqiptarët i ka bërë të besojnë te drejtësia, por edhe si një nga njerëzit më të akuzuar nga opozita, që e cilësojnë si një prokuror që i bindet urdhrave të qeverisë.

Nëse vendimet e tij kanë qenë të drejta apo të gabuara, kjo i mbetet në dorë Gjykatës që ta vendosë, duke pranuar apo rrëzuar kërkesat e tij, por Altin Dumani do të mbahet mend si prokurori i parë që mori guximin të çojë para drejtësisë zyrtarët më të lartë të këtij vendi.

Ndoshta ka edhe të tjerë që do të duhet të japin llogari para SPAK, por le t’i japim Dumanit edhe 1 vit kohë, aq sa zgjat edhe mandati i tij në krye të SPAK.

Ndaj, sot le t’i urojmë edhe “Gëzuar Ditëlindjen” Altin Dumanit, njeriut që na bëri të besojmë se drejtësia ekziston!