Gjykata Kushtetuese ka shtyrë seancën ku do shqyrtohej kërkesa e 30 deputetëve të opozitës, të cilët kërkojnë shfuqizimin e marrëveshjes për emigrantët me Italinë pasi shkelen të drejtat e njeriut dhe cënohet integriteti i vendit.
Seanca e radhës do të mbahet më datë 29 janar, ora 10:00. Në një njoftim zyrtar, Gjykata thotë se në seancën e sotme, grupi prej 30 deputetësh të opozitës kanë dorëzuar kërkesën edhe për disa prova shtesë.
Në seancën e 24 janarit, Kushtetuesja ka kërkuar nga mazhoranca të sjellë dokumentin që vërteton se kjo marrëveshje bazohet në traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit të vitit 1995 mes dy vendeve.
Njoftimi për shtyp
1. Sot në datën 24.01.2024, Gjykata Kushtetuese zhvilloi seancën plenare të radhës për shqyrtimin e kërkesës së paraqitur nga 30 deputetë të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, me objekt: “Deklarimi i papajtueshëm me Kushtetutën të Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit” dhe ndalimi i ratifikimit të tij nga Kuvendi. Pezullimi i procedurave për ratifikimin e Protokollit ndërmjet Qeverisë së Republikës Italiane dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë “Për Forcimin e Bashkëpunimit në Fushën e Migracionit”.
2. Gjatë shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese konstatoi se në datën 23.01.2024, ora 15:55, kërkuesi ka paraqitur parashtrime shtesë me shkrim, në përmbajtje të të cilave kërkohej edhe marrje e disa provave. Parashtrimet shtese iu komunikuan për dijeni subjekteve të interesuara në datën 24.01.2024, ora 9:30.
3. Në këto rrethana, Gjykata bazuar në nenet 43 pika 1 shkronja “ë” dhe 44/a të ligjit organik të saj, që parashikon të drejtën e palëve të kundërshtojnë kërkesat, përfundimet dhe shpjegimet e palëve të tjera, vendosi të shtyjë seancën gjyqësore të radhës në datën 29.01.2024, ora 10.00.