3 vite pas shkarkimit, KPA rikthen në detyrë gjyqtaren e Shkodrës, Ermira Dedja

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, ka rikthyer në detyrë gjyqtaren e Shkodrës Ermira Dedja, e cila ishte shkaruar 3 vite më parë për shkak të problemeve me pasurinë.

Në përfundim të gjykimit në dhomë këshillimi, trupi gjykues, bazuar në nenin 66, pika 1, germa “b” e ligjit nr. 84/2016, “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në mënyrë unanime, vendosi Ndryshimin e vendimit nr. 496, datë 12.01.2022 të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe konfirmimin në detyrë të subjektit të rivlerësimit Ermira Dedja. Ky vendim është përfundimtar dhe ka efekt të menjëhershëm’, thuhet në vendim.

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK vendosi më 12 janar 2022 të shkarkojë nga detyra gjyqtaren e Shkodrës, Ermira Dedja për probleme, që sipas trupës që kreu procesin në shkallën e parë të vetingut, rridhnin nga pasaktësitë në deklarimet e pasurisë. Ndërkohë, gjyqtarja Dedja u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës dhe e aftë profesionalisht.

Ermira Dedja e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1993 dhe punon prej gati tre dekadash si gjyqtare në Gjykatën e Shkodrës.