28 Nëntori i SHENJTË! Nga ngritja e Flamurit në Krujë dhe Vlorë, te ditëlindja e Adem Jasharit dhe dalja e parë e UÇK-së

28 Nëntori është një ditë e shenjtë për të gjithë shqiptarët, pasi 112 vite më parë Ismail Qemali ngriti flamurin kombëtar në Vlorë dhe shpalli pavarësinë e Shqipërisë.

Por kjo nuk është e vetmja festë e shqiptarëve në këtë datë të shenjtë. Përpara Ismail Qemalit, Heroi Kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu e ngriti flamurin në kalanë e Krujës në 28 Nëntor 1443.

28 Nëntori është edhe ditëlindja e një burri të madh të Kombit Shqiptar, komandantit legjendar Adem Jashari, që dha jetën e tij dhe të familjes për lirinë e Kosovës nga pushtuesit serb. Vepra e tij kujtohet dhe nderohet edhe sot, me Kosovën që arriti të shpallë pavarësinë, teksa kënga “Mora fjalë” që i kushtohet pikërisht komandantit Adem Jashari është bërë një himn në stadiumet ku luan kombëtarja shqiptare.

Po në këtë datë, në 28 Nëntor 1997, Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri daljen e saj të parë në skenë, pas vrasjes së mësuesit të shkollës së Llaushës, Halit Geci, më 26 nëntor nga forcat serbe. Rexhep Selimi, Daut Haradinaj dhe Mujë Krasniqi, kanë qenë të parët që kanë dalë për herë të parë publikisht para opinionit publik, në varrimin e tij, si ushtarë të UÇK-së.

Në këtë ditë të madhe për të gjithë shqiptarët, kujtojmë më përulësi Dëshmorët që dhanë jetën për pavarësinë e Shqipërisë dhe Kombit Shqiptar!

Rroftë Shqipëria dhe shqiptarët!