27 vjeçarja u vetëvra nga shantazhi përmes Tik Tok, Balla: Ndryshimet ligjore për dhunën online të miratohen sa më shpejt

Ministri i Brendshëm, Taulant Balla ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë ku një 27 vjeçare u vetëvra në Kamëz, pasi ishte shantazhuar prej kohësh nga një 39 vjeçar.

Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Balla thotë se i ka kërkuar policisë që të rrisin forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave, ndërsa kërkon që ndryshimet ligjore për rreziqet e dhunës online të miratohen sa më shpejt.

“Policia e Shtetit ka identifikuar dhe ndaluar një person të dyshuar për shantazh dhe dhunë me bazë gjinore në rrjetet sociale me pasojë të rënda për jetën e një shtetasje. I kam kërkuar Policisë së Shtetit të rrisim forcën zbuluese dhe reaguese për parandalimin dhe eliminimin e dhunës ndaj grave e vajzave në të gjitha, e cila mbetet forma më e përhapur e shkeljes së të drejtave të njeriut në mbarë botën! Gjithashtu ndryshimet ligjore në adresimin e rreziqeve të dhunës on-line, duhet të konsultohen dhe miratohen sa më shpejt.

#AsnjëJustifikim ndaj dhunës – as në shtëpi, as në vendin e punës, as në jetën publike, as online. Askund!”, shkruan Balla.