Duhen edhe disa muaj deri në 11 Maj 2025, dita kur do të mbahen zgjedhjet parlamentare, ku Edi Rama dhe Partia Socialiste kërkojnë mandatin e katërt si asnjëherë më parë, teksa përballë kanë një opozitë që deri më tani nuk bind për shkak të problemeve të brendshme që kanë pasur.
Këto zgjedhje nuk do të jenë aspak të ngjashme me asnjë nga ato më parë, për shkak jo vetëm se Diaspora voton për herë të parë, por sepse këtë herë ka disa forca të reja politike që kanë fituar besimin e qytetarëve, për shkak se pjesë e tyre janë politikanë të rinj që s’kanë pasur kurrë lidhje me pushtetet.
Në të gjitha sondazhet e zhvilluara, shihet qartë se mbështetja për partitë e reja po rritet nga dita në ditë, çfarë ka bërë që kryeministri Rama të lërë të qetë opozitën e Kuvendit, për t’i drejtuar sulmet te këto parti.
Por le t’i marrim me radhë:
Agron Shehaj, pas largimit nga Partia Demokratike vendosi të krijojë forcën e tij politike, Partinë Mundësia.
Ndonëse një parti e re, organizimi i Mundësisë i ngjan partive të mëdha, për shkak të strukturave, koordinatorëve dhe degëve që janë hapur e po hapen në çdo zonë të vendit. Mijëra qytetarë iu bashkuan fillimisht nismës “Next You”, për të qenë më pas pjesë e partisë, e cila u themelua zyrtarisht në 1 Qershor 2024, me Konventën e Parë që u mbajt në Pallatin e Kongreseve të mbushur plot.
Denoncimi i aferave korruptive duke përmendur me emra ministrat dhe oligarkët e përfshirë kanë bërë që Agron Shehaj të jetë një nga liderët më të besueshëm të politikës.
Pavarësisht besimit të krijuar dhe numrit të madh të qytetarëve që i janë bashkuar partisë së tij, Shehaj qëndron me këmbë në tokë, pasi ka deklaruar se partia e tij synon të krijojë fillimisht një grup parlamentar, për të bërë opozitë të vërtetë në Parlament.
Nuk do të ishte çudi edhe nëse “Mundësia” do të arrinte një rezultat më të lart se pritshmëritë e Shehajt, ndaj duket se viti 2025 do të jetë i tyre.
Adriatik Lapaj dhe “Shqipëria Bëhet” e nisën fillimisht si një lëvizje opozitare, duke denoncuar aferat korruptive dhe duke kërkuar që taksat e shqiptarëve të shkojnë po te qytetarët dhe jo te oligarkët.
Lapaj është një nga liderët e rinj më të besueshëm në sytë e qytetarëve, siç kanë treguar edhe sondazhet, ndërkohë që edhe partisë së tij i janë bashkuar qindra qytetarë që kërkojnë ndërrimin e pushtetit, në mënyrë që të rinjtë të kenë mundësi të drejtojnë vendin.
“Shqipëria Bëhet” ka organizuar edhe mbledhje të qytetarëve jashtë vendit, duke treguar se në vitin 2025 do të jenë pjesë e rëndësishme e një gare të fortë që pritet të zhvillohet për të marrë votat e elektoratit gri.
Ndryshe nga të tjerët, Adriatik Lapaj është shprehur se synon që në vitin 2025 partia e tij të marrë 71 mandate, për të formuar qeverinë e re. Duket e pamundur, por verdiktin përfundimtar e japin qytetarët.
Arlind Qori, apo siç njihet ndryshe si “njeriu i protestave”, për shkak se është në çdo protestë në mbrojtje të interesave të qytetarëve, do të synojë që fjalimet e tij t’i zhvendosë nga sheshet në Kuvend.
“Lëvizja Bashkë” arriti një rezultat shumë të mirë në zgjedhjet lokale të vitit 2023, ku vetë Arlind Qori mori më shumë se 14 mijë vota, duke u renditur i treti në Bashkinë e Tiranës, teksa mori edhe një këshilltar.
Këtë rezultat “Lëvizja Bashkë” do të synojë ta përmirësojë, që në Kuvendin e ardhshëm të ketë disa deputetë, që së bashku me partitë e tjera të reja të bëjnë opozitën që ky vend ka nevojë.
Endri Shabani dhe “Nisma Thurje”duket se do të jenë në koalicion me Adriatik Lapajn, bazuar në deklaratat që janë bërë publikisht.
Shabani dhe anëtarët e tjerë të “Nismës Thurje” njihen për denoncimet publike që kanë bërë në SPAK, nëpërmjet të cilave kanë dalë përpara drejtësisë disa ish-zyrtarë të lartë të vendit, që janë zbuluar të kenë vjedhur miliona euro nga buxheti i shtetit.
Edhe “Nisma Thurje” arriti që në zgjedhjet lokale të vitit 2023 të merrte një këshilltar në Bashkinë e Tiranës, i cili është vetë Endri Shabani, që vijon të denoncojë aferat korruptive në këtë institucion.
Pra, viti 2025 duket se do të jetë viti i partive të reja, për shkak se liderët e tyre ngjallin shumë më shumë besim se partitë e tjera të reja që kanë garuar në zgjedhjet e mëparshme.
Shqiptarët do të duhet që t’u japin më shumë besim, pasi të vjetrit (PS e PD) e kanë treguar se më shumë se për popullin, kanë menduar të shtojnë zerot në llogaritë e tyre bankare, në bashkëpunim me oligarkët.
Këto zgjedhje mund të jenë mundësia e fundit që qytetarët të lënë pas të vjetrën, ndaj le ta shfrytëzojmë të gjithë. Për Shqipërinë, për shqiptarët!