Parlamenti Britanik: Viza pune në bujqësi dhe ndërtim për shqiptarët

Komisioni i posaçëm për emigracionin në Parlamentin Britanik mori në shqyrtim një raport të hollësishëm të Ministrisë së Brendshme për numrin e lartë të azilantëve shqiptarë në Britaninë e madhe.

Sipas lajmit nga BBC, raporti evidenton se shqiptarët nuk mund të marrin azil politik në Britani pasi Shqipëria konsiderohet vend i sigurtë. Por parlamentarët britanikë kanë kërkuar një zgjidhje afatgjatë për të ulur numrin e shqiptarëve që kalojnë kufirin në mënyrë të paligjshme.

Deputetja laburiste Diana Johnson, kryetarja e Komisionit, tha se kishte pasur “një rritje të konsiderueshme të papritur të kërkesave për azil nga një vend në dukje paqësor si Shqipëria”. “Është e rëndësishme që të bëhen pyetje dhe të nxirren mësime dhe është e qartë se tabloja e emigracionit nuk është statike dhe do të vazhdojë të evoluojë”, shtoi ajo.

Deputetët britanikë rekomanduan që qeveria të promovojë vizat e punës sezonale në bujqësi dhe ndërtim për t’u dhënë më shumë shqiptarëve mundësinë të vijnë në Britani të Madhe pa bërë kalime të paligjshme të kufirit përmes kanalit të Lamanshit.

“Ndryshimet në emigracion në mënyrë të pashmangshme do të rëndojnë çdo sistem, por qeveria duhet të bëjë shumë më tepër për të siguruar që mund t’i trajtojë më mirë këto probleme”, tha më tej Johnson.

Javën e kaluar në Kent, kryeministri Rishi Sunak tha se plani i tij për të trajtuar migracionin po përparon, por ka “punë për të bërë”.

Kryeministrit Britanik tha se një marrëveshje me Shqipërinë për kthimin e emigrantëve kishte çuar në kthimin e 1,800 personave dhe kjo kishte një efekt parandalues.

Një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme tha se “përparësia e kësaj qeverie është ndalimi i anijeve”.

 “Vitin e kaluar, 28% e atyre që mbërritën me varkë të vogël në Britaninë e Madhe ishin nga Shqipëria – një vend i sigurt evropian dhe aleat i NATO-s. Ne kemi punuar ngushtë me qeverinë shqiptare për të përçarë bandat kriminale dhe për të penguar migrimin e paligjshëm. Në pesë muajt deri në fund të majit, mbërritjet e anijeve të vogla shqiptare janë ulur 90% krahasuar me vitin e kaluar dhe kemi kthyer 1800 migrantë të paligjshëm dhe kriminelë të huaj”, shtoi ai.

Numri i shqiptarëve që mbërritën në Britaninë e Madhe me gomone nga Lamanshi 800 në 2021, ndërsa në 2022 kapërceu në 12,301.