Kur në vitin 1914 shpërtheu lufta në Evropë, Shtetet e Bashkuara u zotuan të mbeten neutrale. Populli amerikan nuk kishte asnjë lloj interesi të përfshihej tek aleancat dhe perandoritë evropiane. Presidenti Udrou Uillson, një demokrat progresist, u rizgjodh në detyrë në zgjedhjet e vitit 1916 me sloganin “Ai na mbajti jashtë luftës!”.
Por ky premtim rezultoi i pamundur të mbahej. Gjermania, e cila e kishte ndërprerë përkohësisht luftën e pakufizuar ndaj nëndetëseve, pas fundosjes së anijes së pasagjerëve “Lusitania” në vitin 1915, nisi në vitin 1917 goditjet ndaj anijeve amerikane.
Duke u zotuar që të mbrojë jetët e amerikanëve dhe ta bëjë botën “të sigurt për demokracinë”, Uillson dhe Kongresi i SHBA-së i shpallën luftë Gjermanisë në prill të atij viti.
“Uillson ishte shumë i vetëdijshëm se Amerika nuk donte të hynte në luftë. Mënyra e vetme që ai mund ta zgjidhte këtë dilemë, ishte duke bërë gjithçka që mundi për t’i dhënë fund luftës evropiane”- thotë Xhon Tompson, autor i librit ”Uillson, profili i një pushtetari”.
Në këtë kuadër, Uillson dhe këshilltarët e tij rekrutuan një ekip prej 150 politologësh dhe sociologësh për të hulumtuar mbi shkaqet rrënjësore të luftës në Evropë. Ky grup, i njohur si “The Inquiry”, prodhoi rreth 2000 raporte dhe 1200 harta që u përmblodhën në 14 rekomandime kryesore për të arritur një paqe të qëndrueshme në Evropë.
Në një fjalim mbajtur para Kongresit të SHBA-së më 8 janar 1918, Uillson parashtroi “14 Pikat” e tij, një plan ambicioz për dhënien fund të Luftës së Parë Botërore, dhe që e vinte theksin tek e drejta e “vetëvendosjes kombëtare” si për kombet e vogla po ashtu edhe për ato të mëdha, dhe përfshinte krijimin e një organizate ndërkombëtare, Lidhja e Kombeve, për të zgjidhur në mënyrë paqësore të gjitha mosmarrëveshjet e ardhshme.
Në vitin 1919, presidenti amerikan mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris, me shpresën se “14 Pikat” do të përbënin shtyllën kurrizore të Traktatit të Versajës. Por idetë e tij hasën në rezistencën e ashpër të aleatëve, të cilët ishin më të interesuar të ndëshkonin Gjermaninë sesa të ndiqnin një plan idealist për paqen botërore.
Dështimi i asaj nisme, cilësohet gjerësisht si një nga faktorët që çoi në shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore vetëm 2 dekada më vonë. Kryesorja ndër idetë e Uillson ishte koncepti i “paqes pa fitore”.
“Fitorja nënkuptonte zakonisht paqen e detyruar mbi një humbës, dhe kushtet e një fituesi që imponoheshin mbi të mundurin. Ajo do të pranohej në poshtërim, nën presion, në kushtet e një sakrifice të padurueshme që do të linte pas mëri, një kujtim të hidhur mbi të cilin do të qëndronin kushtet e paqes. Vetëm një paqe mes të barabartëve mund të zgjasë”- theksoi presidenti amerikan.
Gjithsesi Uillson e kuptoi se një “paqe midis të barabartëve” do të ishte e vështirë, sidomos për francezët. Franca pësoi një numër të paimagjinueshëm viktimash gjatë Luftës së Parë Botërore: më shumë se 1.3 milionë ushtarë dhe 600.000 civilë të vrarë. Edhe Rusia varrosi më shumë se 2 milionë ushtarë dhe qytetarë të saj.
Me “14 Pikat”, Uillson dhe këshilltarët e tij synonin të vendosnin një ekuilibër midis idealeve të tyre progresive dhe përmbushjes së kërkesave për drejtësi të kërkuara nga aleatët si Franca, Britania dhe Rusia. Presidenti amerikan ishte idealist, por jo naiv.
Ai nuk priste që fuqitë ndërluftuese të botës të dorëzonin armët dhe të premtonin se këtej e tutje do të silleshin mirë më njëri-tjetrin. Paqja e qëndrueshme, kërkonte një kornizë të re globale të bazuar në një grup të fortë rregullash dhe parimesh qeverisëse.
Ndaj 5 propozimet e para iu kushtuan këtyre parimeve qeverisëse. Së pari që traktatet dhe marrëveshjet diplomatike të ishin publike dhe transparente. Së dyti kërkohej e drejta e lundrimi të lirë në të gjitha detet në kohë lufte dhe paqeje. Se treti kërkoheshin kushte dhe mundësi të barabarta për të bërë tregti. Se katërti të kishte një reduktim të ndjeshëm të armatimeve tek të gjitha vendet. Dhe së fundmi të kishte një “rregullim” të pretendimeve koloniale.
Gjithsesi në praktikë, Uillson ishte anti-imperialist në raport me Fuqitë Qendrore – Austro-Hungaria, Osmanët, Gjermania – por ai nuk kishte ndërmend të prekte zotërimet Britanisë dhe Francës. Pas vendosjes së këtyre 5 parimeve të përgjithshme, amerikanët parashtruan 8 rekomandime specifike për zgjidhjen e disa prej mosmarrëveshjeve kryesore territoriale të Luftës së Parë Botërore në vende si Franca, Belgjika, Rusia, Italia dhe Polonia.
Edhe pse rekomandimet e Uillson rezultuan të ishin kryesisht në favor të aleatëve, ai ishte gjithashtu i kujdesshëm që të mos armiqësonte Fuqitë Qendrore. Në përputhje me filozofinë e një “paqeje pa fitore”, Fuqitë Qendrore do të mbaheshin përgjegjëse, por pretendimet e tyre territoriale nuk do të shpërfilleshin plotësisht.
Në fakt ndodhi e kundërta. Britanikët nën drejtimin e kryeministrit Dejvid Lloid Xhorxh, bënë thirrje për shpërbërjen totale të Austro-Hungarisë në një mori kombesh të pavarura. PO ashtu Gjermanisë iu kërkua t’u kthente francezëve të gjithë Alsas-Lorrenën dhe të pranonte një Poloni të pavarur.
Nga ana tjetër rekomandimet e Uillsonit u fokusuan në “rikthimin” e territorit të pushtuar, dhe jo tek ndëshkimet ekonomike. Por shpresat e Uillson u zbehën që në fillim të Konferencës së Paqes. Që të funksiononte procesi i paqes, Fuqitë Qendrore duhej të kishin një vend të barabartë në tryezën e bisedimeve. Por pjesa tjetër e aleatëve mbajti një qëndrim të ashpër, duke refuzuar të merrte pjesë nëse vende si Gjermania dhe Austro-Hungaria do të kishin zë në vendimmarrje.
Dispozita të tjera kryesore të “14 Pikave” u ndryshuan ose u refuzuan. Për shembull lundrimi i lirë në dete, u refuzua nga britanikët, të cilët kontrollonin marinën më të fuqishme në botë. Aleatët vendosën ndëshkime të ashpra ekonomike ndaj Gjermanisë në formën e reparacioneve të luftës që arrin në 132 miliardë marka ari, ose më shumë se 500 miliardë dollarë me kursin e sotëm.
Në fund, plani i guximshëm i Uillson mbi paqen botërore nuk arriti të fitonte mbështetjen e duhur dhe Traktati i Versajës u shndërrua në një pilulë të hidhur, të cilën populli gjerman u detyrua ta gëlltiste. Në vitet 1930, kur ekonomia e Gjermanisë u gjymtua nga një Depresion ekonomik global, Adolf Hitleri e drejtoi retorikën e tij të ashpër kundër Traktatit ndëshkues të Versajës duke fajësuar politikanët dhe hebrenjtë “mashtrues”.
E vetmja pikë e mundshme ku mund të kishte pasur sukses Uillson ishte krijimi i Ligës së Kombeve, por edhe kjo fitore i shkau. Në atë kohë Kongresi kontrollohej nga republikanët, të cilët Uillson i përjashtoi nga bisedimet e paqes në Paris. Ata u hakmorën ndaj presidentit duke refuzuar të ratifikojnë Traktatin e Versajës, i cili i la Shtetet e Bashkuara jashtë Lidhjes së Kombeve.