11 banorë të Rrjollit vetëdorëzohen pasi ishin shpallur në kërkim, avokati: Manovër e Policisë për të frenuar protestat

Pas protestës së 28 Shkurtit, ku u përballën me policinë private të paguar nga biznesmeni Bashkim Ulaj, 11 banorë të Rrjollit janë vetëdorëzuar në polici, pasi ishin shpallur në kërkim nga autoritetet.

Ata u shoqëruan nga avokati Ndue Pjetra, i cili u shpreh për mediat se arrestimi i banorëve është një manovër e Policisë së Shkodrës për të frenuar protestat.

Banorët e Rrjollit prej 1 muaji po protestojnë për pronat e tyre, të cilat një vendim i ish-ministres së pandehur Belinda Balluku ia ka dhënë biznesmenit Bashkim Ulaj për të ndërtuar një resort turistik.

Një vendim i Gjykatës së Apelit i dha të drejtë njërës prej familjeve për tokën që pretendojnë, teksa familjet e tjera janë ende në procese gjyqësore. Pavarësisht kësaj, Policia e Shtetit jo vetëm që nuk ndërhyn për të respektuar vendimin, por shpeshherë është bërë palë me kompaninë ndërtuese duke dhunuar banorët.

Ndërkohë, edhe pse kanë kërkuar përgjigje nga Bashkia e Shkodrës dhe qeveria,. Asnjë prej tyre nuk ka denjuar t’i takojë apo t’u kthejë përgjigje banorëve, të cilët vijojnë të përballen me policinë private apo të shtetit, edhe pse po kërkojnë vetëm të drejtën e tyre.