Ka raste kur heshtja thotë më shumë se mijëra fjalë!
Ajo që po ndodh me Belinda Ballukun është pikërisht një prej tyre. Një figurë e PS-së që ishte çdo ditë në rrjetet sociale me postimet e saj duke propaganduar punën në çdo kantier e duke folur për “punët e mëdha” të qeverisë, sot është zhdukur nga skena publike.
Prej 10 ditësh e pandehura Belinda Balluku nuk ka postuar asgjë në rrjetet sociale, duke i lënë edhe patronazhistët “pa punë”, pasi nuk kanë mundur të pëlqejnë e të komentojnë në fotot e saj se sa e mirë është e sa shumë punon. Madje, nuk uroi shqiptarët as për Ditën e Pavarësisë.
Postimi i fundit i saj është ai i seancës së fundit plenare, ku ajo u rikthye në Kuvend së bashku me kryeministrin Rama, e ku u mundua të justifikohej për 50 milionë eurot e grabitura të tunelit të Llogarasë.
Por menjëherë pas atij justifikimi të dështuar, erdhi edhe ajo që qytetarët prisnin. GJKKO e pezulloi nga detyra si zv.kryeministre dhe ministre e Energjitikës dhe Infrastrukturës, pasi SPAK e kishte marrë të pandehur për dy afera korruptive.
Ky pezullim bëri që të fillonte edhe heshtja publike e Belinda Ballukut.
Kjo nuk është një heshtje e zakonshme, pasi Belinda Balluku nuk është tipi i politikanes që i lë rrjetet sociale bosh nga harresa apo pakujdesia. Heshtja e saj është e qëllimshme, pasi zakonisht, politikanët heshtin kur nuk kanë më çfarë të thonë, ndërsa të pandehurit heshtin pasi çdo fjalë mund të rëndojë më shumë pozitat e tyre.
Belinda Balluku e ndërtoi gjithë profilin e saj mbi komunikimin e pandërprerë me qytetarët, me propagandën në rrjetet sociale dhe me daljet krah kryeministrit sa herë ishte e mundur. Ndaj, kjo tërheqje e menjëhershme është tregues i një krize të thellë që ish-zv.kryeministrja po kalon.
Një politikan që beson te pafajësia nuk ka frikë të flasë e të luftojë për të drejtën e tij. Por, për Ballukun akuzat janë kaq të mëdha dhe kanë të bëjnë me dhjetëra e qindra miliona euro të shpërdoruara nga paratë e shqiptarëve.
Kur drejtësia troket, propaganda nuk mjafton më! Nuk të duhen më videot nga kantieret, fjalimet me telenovela turke e tallja me opozitën, por guximi për t’u përballur me të vërtetën.
Ky guxim i mungon Ballukut, ndaj ajo që na mbetet është vetëm heshtja, që sa më shumë zgjat, aq më shumë kthehet në pranim të asaj që po ndodh.
Zhdukja e Belinda Ballukut nga rrjetet sociale nuk është rastësi, është pasqyra më e qartë e një kapitulli të mbyllur keq dhe të një beteje që nuk mund të fitohet me propagandë, por vetëm me të vërteta.