Kryeministri Edi Rama ka sulmuar sërish mediat teksa ishte i pranishëm në prezantimin e anketës për matjen e perceptimit qytetar mbi nivelin e sigurisë në vendin tonë dhe besimit tek Policia e Shtetit.
Teksa tha se vendi ynë është pranë mesatares së BE për numrin e vrasjeve, ai tha se sot i kërcënuar ndihesh në portalet ditë natë, jo nëpër rrugët e qyteteve tona. Kjo deklaratë e kryeministrit vjen teksa disa vrasje janë regjistruar që nga fillimi i vitit në vend, të cilat ende nuk janë zbardhur. Ndërkohë vetëm ditën e sotme dy shpërthime me tritol janë regjistruar në Fushë Krujë dhe Shkodër, fatmirësisht pa dëme ne njerëz.
“Problemi i sigurisë është bërë një problem gjithmonë e më i madh, sidomos në qytetet më të mëdha. Vetëm 4 % e qytetarëve kanë qenë viktima të vjedhjes apo sulmit fizik në 5 vitet e fundit. Kjo shifër është më e ulët, pozitivisht se mesatarja e BE-së që është 9% dhe është në normën e vendeve më të sigurta në BE.
Në këtë vendin tonë ku të gjithë vriten, të gjithë sulmohen të gjithë plagosen rrugëve po të ndjekësh kanalet e portalet natën dhe ditën, pavarësisht në cilën orë. Dhe nëse ka një hapësirë në fakt që është ajo më e rrezikshme ku mund të ndihesh i kërcënuar, sulmuar, nëpërkëmbur dhunuar, është jo hapësira e qyteteve tona natën por e portaleve ditën dhe natën”- tha Rama.