Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama duke folur nga Berlini ku ishte pjesë e panairit të madh global të turizmit ftoi qytetarët gjermanë të eksplorojnë vendin tonë.
Gjatë fjalës së tij, Rama tha se dëshiron të shohë më shumë turistë nga Gjermania pasi sipas tij ata “pinë shumë birra dhe hanë shumë ushqim”.
“Kur mora detyrën shifrat ishin krejt ndryshe nga 1990, por edhe në atë kohë ishin shumë të ulëta krahasuar me shifrat e sotme, nja dy milionë vizitorë, krahasuar me 12 milionë që regjistruam vitin e kaluar. Këtë vit shohim shifra të larta, janari dhe shkurti kanë vendosur rekorde të reja. Numri i gjermaneve shkonte rreth 100 mijë, ndërsa vitin e kaluar shkoi në 400 mijë, por duam më shumë sepse gjermanët janë lloji më i mirë i turistëve. Kur mendon gjermanët, e para gjë që ju vjen në mendje është imazhi i tyre si punëtorë, por në të vërtetë gjermanët janë edhe pushuesit kryesore në botë. Gjermanët pushojnë më shumë sesa të tjerët, i duam se pinë shumë birra dhe hanë më shumë kur na vizitojnë. Pse duhet që gjermanët ta vizitojnë Shqipërinë”, tha ai.
Ai citoi edhe shkrime të mediave gjermane, të cilat krahas reklamimit të bukurive natyrore të vendit tonë, shpeshherë kanë kritikuar dhe denoncuar shkeljet e qeverisë së tij.
Kujtojmë këtu shkrimet e medias Bild, e cila publikonte një sërë përgjimesh dhe bisedash nga dosja 184, e cila ekspozonte në sy të publikut krimin elektoral të Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme lokale në Dibër, në vitin 2016.
Në to flitej për blerjen e votave, por edhe për shantazhe dhe mbledhjen e kartave të identitetit për votues të njohur si mbështetës të opozitës duke pamundësuar votimin e tyre.
“Nëse nuk e besoni fjalën time, besojini Der Spiegel që është gati të tregohet e padrejtë me mua, por e përshkruan Shqipërinë si një destinacion që duhet vizituar, e krahasohen me Bora Borën. Ose merrni BILD, e cila thotë që Shqipëria nuk është me destinacion i fshehur”, tha ai.