Elton Qyno
Të gjithë të pranishmit në procesin gjyqësor që u zhvillua në Elbasan për lirimin nga burgu të ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, ishin dakord.
Asnjë nga pjesëmarësit në këtë proces nuk ka shfaqur mendim kundër që funksionari i Partisë Socialiste të vijonte të qëndronte në burg.
Duke filluar nga avokatët mbrojtës, që kishin paraqitur kërkesën në gjykatë, përfaqësuesi i prokurorisë Elbasan, Mustafa Muçi, përfaqësues të Shërbimit të Provës Tiranë, juristi i burgut të Kosovës në Lushnjë, si dhe vetë gjyqtarja Matilda Fetahu, ishin dakord që Saimir Tahiri të linte ambjentet e burgut dhe pjesën tjetër të dënimit të mbetur, prej 1 vit e 8 muaj e 15 ditë të vuajë në ambjentet e shtëpisë së tij në kryeqytet.
Në këtë gjykim asnjë nga përfaqësuesit e institucioneve nuk ka pasur mendim kundra lirimit të Tahirit.
Nisur nga kjo situatë gjyqtarja e çështjes Matilda Fetahu, ka miratuar kërkesën e avokatëve mbrojtës, duke vendosur në 2 qershor 2023, të pezullojë ekzekutimin e dënimit në ambjentet e burgut për Saimir Tahirin, dhe urdhëruar që ish-ministri i Brendshëm, pjesën tjetër të dënimit të qëndrojë në shtëpi.
Sipas gjykatës nga dënimi prej 3.4 vite burgim i marë për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, 1 vit e 4 muaj është vuajtur nga Tahiri gjatë qëndrimit në burgun 313, në burgun e Fierit, në Rrogozhinë dhe së fundi në burgun e Kosovës në Lushnjë.
Sipas vendimit të gjykatës, Tahiri ka përdorur një epikrizë mjekësore të bashkëshortes së tij, Fatlinda Tahiri, e cila del se e ka të pamundur të kujdeset për dy fëmijët e mitur, për shkak të gjëndjes shëndetësore ku ndodhet.
Duke u bazuar në nenin 59/a të Kodit Penal, Tahiri ju drejtua gjykatës së Elbasanit me një kërkesë për vuajtjen e dënimit të mbetur me qëndrim në shtëpi.
Fillimisht çështja u gjykua nga Elis Dine, një gjyqtar i ri, i cili më pas u përjashtua nga ky proces penal, me kërkesë të avokatëve mbrojtës.
Pas përjashtimit të tij, çështjen e mori kryetarja e gjykatës së Elbasanit, Matilda Fetahu, e cila vendosi paraditen e të premtes, të pranojë kërkesën e Tahirit, duke e çuar këtë të fundit të vuajë dënimit e mbetur në ambientet e shtëpisë.
Për lirimin e Tahirit nga burgu, pati një reagim nga faktori opozitar i politikës dhe Ambasada Amerikane në Tiranë.