Nga Elton Qyno
SPAK nuk ka humbur kohë, por menjëherë sot ka çuar për ekspertim kompjuterik aparatet telefonike, disa USB dhe dy kompjutera Lap-Top, të sekuestruar gjatë kontrollit të banesave të Ahmetaj dhe njerëzve të afërm të tij.
Prokurorët kanë shpresa se prej paisjeve kompjuterike të nxjerin të dhëna të dobishme që sjellin përparimin e hetimeve për sa i përket implikimit të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj dhe njerëzve të tij.
Kjo formë ekspertimi solli sukses në hetime gjatë kontrollit kompjuterik të telefonit “Black Berry” të sekuestruar në muajin Mars 2023 në banesën e Ahmetaj dhe verifikimit të Lap-Topit të Klodian Zotos.
Përmes këtyre dy paisjeve, SPAK depërtoi në komunikimet private të tre njerëzve kryesorë të inceneratorëve të Elbasanit, Fierit dhe Tiranës, siç janë Arben Ahmetaj, Mirel Mërtiri dhe Klodian Zoto.
E njëjta strategji është zgjedhur të përdoret dhe ditën e sotme, ku prokurorët Altin Dumani dhe Enkelejda Millonai, kanë urdhëruar ekspertët e laboratorit shkencor të kryejnë kontrollin e imtëishëm të paisjeve kompjuterike.
Hetimi për Ahmetaj tashmë është duke i kryer nga SPAK, jo vetë për sa i përket provimit të akuzave, por edhe për identifikimin dhe sekuestrimin e pasurive të Ahmetaj dhe të afërmve të tij.
Deri në këtë fazë të hetimit, është urdhëruar vendosja e sekuestros preventive mbi 6 pasuritë e përmendura paraprakisht nga SPAK në relacionin e Këshillit të Mandateve.
Midis tyre katër apartamente si dhe dy llogari bankare të Arben Ahmetaj në shumën e 124 300 mijë euro.
Vendimi i gjykatës vjen në kohën kur së bashku me hetimin pasuror ndaj ish-ministrit dhe ish-zëvendës kryeministrit po zhvillohet dhe për korrupsion në gjashtë episode si dhe për pastrim parash.