Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka kërkuar konfiskimin e 10 pasurive të Florenc Çapjas, të cilat dyshohet se janë përfituar nga aktiviteti kriminal.
Florenc Çapja akuzohet për veprat penale: “Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.
Pasuritë janë në emër të familjarëve të Florenc Çapjas dhe miqve të tij, ku mes tyre janë ndërtesa, biznese dhe mijëra metër katrorë sipërfaqe tokë e llojit arë’.
Njoftimi i SPAK:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dorëzuar në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë më 09.01.2025 kërkesën për konfiskimin e pasurive të sekuestruara në kuadër të procedimit pasuror nr.6 të vitit 2022.
Ky procedim pasuror u rregjistrua në bazë të hetimit penal në ngarkim të shtetasit Florenc Çapia, i dyshuar për veprat penale:“Sigurim i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje” në dëm të shtetasit Sokol Sanxhaktari, kryer në bashkëpunimin e posaçëm të “Grupit të strukturuar kriminal”, “Kryerje e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”, parashikuar nga nenet 80, 28/4, 333/a/1, 334 të Kodit Penal.
Mbi bazën e dispozitave të ligjit nr. 10192 datë 03.12.2009, “Për Parandalimin dhe Goditjen e Krimit të Organizuar, Trafikimit, Korrupsionit dhe Krimeve të tjera nëpërmjet Masave Parandaluese kundër Pasurisë”, i ndryshuar me ligjin nr.70/2017 janë identifikuar dhe sekuestruar pasuritë* e luajtshme dhe të paluajtshme të subjektit Florenc Çapia dhe personave të lidhur me të. Në përfundim të hetimit pasuror rezulton se pasuritë e sekuestruara janë të pajustifikuara nga burime të ligjshme dhe për pasojë prezumohet se janë rezultat i aktivitetit kriminal të subjektit Florenc Çapia.
Pasuritë e sekuestruara për të cilat kërkohet konfiskimi janë:
- Pasuria e llojit arë, me sipërfaqe 500 m2, me adresë Udenisht, Pogradec, në pronësi të shtetasit Ferit Muça.
- Pasuria e llojit ndërtesë ekonomiko-sociale, një kat, me sipërfaqe trualli 36.2 m2 , sipërfaqe ndërtese, 25.73 m2 , me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).
- Pasuria e llojit arë +truall +ndërtesë, me sipërfaqe totale 1756 m2, truall me sipërfaqe 450 m2, sipërfaqe ndërtese 214 m2, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia (babai dhe nëna e shtetasit Florenc Çapia).
- Pasuria e llojit godinë banimi, me sipërfaqe trualli 498.8 m2, sipërfaqe ndërtese 293.8 m2. Godine banimi 2 kate + 1 kat nëntokë, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasit Fejzulla Ramazan Çapia (babai i shtetasit Florenc Çapia).
- Pasuria e llojit Truall + Ndërtesë, me sipërfaqe totale 360 m2, sipërfaqe ndërtese social- ekonomike, 1 kat 120 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të Bledar Mefail Muça.
- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 720 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 764 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan, në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
- Pasuria e llojit Arë, me sipërfaqe totale 1380 m2, me adresë Lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan në pronësi të shtetasve Fejzulla Ramazan Çapia dhe Xhemile Bajram Çapia.
- Automjeti tip autoveturë, Marka Audi, Tipi 4E, Modeli A8, viti i prodhimit 2008.
- Subjekti “Fejzulla Çapia” (P.F) me NIPT L53322244G, me objekt aktiviteti “Lavazh Bar-Kafe”, me adresë lagjia “Emin Matraxhiu”, Elbasan.