SKANDALI/ Kjo është kompania që hodhi në treg 13 tonë mish pule me salmonelë

Nja skandal tjetër u zbulua sot ku një sasi e madhe mish pule me salmonelë, që ishte kapur në Portin e Durrësit është hedhur në treg dhe është konsumuar nga qytetarët shqiptarë.

Raportohet për një sasi 18.3 tonë mish pule me salmonelë që është konstatuar në Portin e Durrësit nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit. Por një pjesë e madhe e saj është hedhur në treg.

AKU ndërkohë në një njoftim zyrtar nuk jepte informacion mbi kompaninë që futi në vend fileto pule me salmonelë nga Brazili apo sasinë që është hedhur në treg.

Burime për mediat bëjnë me dije se është kompania Dimal dhe kjo e fundit ka nxjerr për konsumim 13.1 tonë fileto edhe pse iu urdhërua bllokimi nga ana e AKU.

Sakaq Prokuroria e Tiranës ka marrë në shqyrtim referimin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit për skandalin e mishit të pulës të importuar nga Brazili.

Njoftimi i AKU-së:

Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar disa ditë më parë gjatë kontrolleve të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit.

Pas analizës së realizuar në ISUV më 21.03.2025, ku u identifikua prania e Salmonella Typhimurium në një mostër produkti pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.

Është inspektuar subjekti importues për të siguruar gjurmueshmërinë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme proceduriale lidhur me elementët e veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.