SKANDAL në Pogradec/ Plazhi plot me turistë, fadromi që pastron liqenin shtyp pushuesin e shtrirë në rërë, e nisin me urgjencë në spital

Pretendojmë të kemi shumë turistë, por mënyra si i trajtojmë tregon se nuk i meritojmë. Skandali i radhës vjen nga Pogradeci, ku bashkia duket se është kujtuar vonë për të pastruar liqenin, pasi e ka nxjerrë fadromin të pastrojë edhe gjatë ditës, kur plazhi është i mbushur me turistë.

Një vendim i tillë ka sjellë edhe një aksident të rëndë ditën e sotme, pasi fadromi që duhet të ishte i parkuar, ka shtypur një pushues që ishte shtrirë në rërë, duke i kaluar sipër me njërën gomë. 53 vjeçari është nisur me urgjencë drejt spitalit, teksa burime bëjnë me dije se do të transportohet drejt Tiranës për një trajtim më të specializuar.

Drejtuesi i fadromit, D.P, 31 vjeç, është arrestuar nga policia, teksa grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes.

Por aksidenti i sotëm duhet të shërbejë si mësim për bashkinë e Pogradecit dhe gjithë bashkitë e tjera që mirëpresin turistë, se pastrimi i liqenit, detit apo edhe qytetit nuk bëhet në orët kur fluksi i turistëve është i madh, pasi në këtë mënyrë vetëm largon turistët.