SHBA pezullon shqyrtimin e vizave të emigrimit për Shqipërinë

SHBA ka vendosur të pezullojë përpunimin e vizave emigruese për qytetarët e 75 vendeve, mes të cilave bën pjesë edhe Shqipëria, në kuadër të një mase të re për të forcuar kontrollin ndaj aplikantëve që konsiderohen të rrezikuar të bëhen barrë për sistemin e ndihmave sociale.

Sipas një memorandumi të Departamentit Amerikan të Shtetit, zyrtarët konsullorë janë udhëzuar të refuzojnë aplikimet për viza në bazë të ligjit ekzistues, ndërsa po bëhet një rishikim i plotë i procedurave të verifikimit dhe kontrollit.

Pezullimi do të nisë më 21 janar dhe do të zgjasë për një periudhë të pacaktuar, deri në përfundimin e këtij rishikimi të procesit të dhënies së vizave emigruese.

Në nëntor të vitit 2025, një udhëzim i dërguar nga Departamenti i Shtetit në ambasada dhe konsullata në mbarë botën kërkonte zbatimin e rregullave më të rrepta të verifikimit, në bazë të dispozitës ligjore të njohur si “public charge” (barrë publike).

Sipas këtyre udhëzimeve, vizat do t’u mohohen aplikantëve që vlerësohen se mund të varen nga përfitimet publike, duke u marrë parasysh faktorë si gjendja shëndetësore, mosha, njohja e gjuhës angleze, gjendja financiare dhe nevoja e mundshme për kujdes mjekësor afatgjatë.

Aplikantët më të moshuar, ata me mbipeshë, apo persona që kanë përfituar më parë ndihma financiare nga shteti ose kanë qenë të institucionalizuar, mund të refuzohen.

“Departamenti i Shtetit do të përdorë autoritetin e tij afatgjatë për të shpallur të papërshtatshëm emigrantët potencialë që do të bëheshin barrë për Shtetet e Bashkuara dhe do të shfrytëzonin bujarinë e popullit amerikan”, deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott.

Ai shtoi se emigracioni nga këto 75 vende do të pezullohet derisa të rishikohen procedurat për të parandaluar hyrjen e shtetasve të huaj që mund të përfitojnë nga ndihmat sociale dhe përfitimet publike.

Megjithëse dispozita “public charge” ekziston prej dekadash, zbatimi i saj ka ndryshuar ndër vite, duke u lënë shpesh diskrecion të gjerë zyrtarëve konsullorë.

Përjashtimet nga ky pezullim do të jenë shumë të kufizuara dhe do të lejohen vetëm pasi aplikanti të ketë kaluar vlerësimin mbi barrën publike.

Lista e plotë e vendeve përfshin: Afganistanin, Shqipërinë, Algjerinë, Antigua dhe Barbuda, Armeninë, Azerbajxhanin, Bahamet, Bangladeshin, Barbadosin, Bjellorusinë, Belizen, Butanin, Bosnjën, Brazilin, Birmaninë, Kamboxhian, Kamerunin, Kepin e Gjelbër, Kolumbinë, Bregun e Fildishtë, Kubën, Republikën Demokratike të Kongos, Dominikën, Egjiptin, Eritrenë, Etiopinë, Fixhin, Gambinë, Gjeorgjinë, Ganën, Grenadën, Guatemalën, Guinenë, Haitin, Iranin, Irakun, Xhamajkën, Jordaninë, Kazakistanin, Kosovën, Kuvajtin, Kirgistanin, Laosin, Libanin, Liberinë, Libinë, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Mongolinë, Malin e Zi, Marokun, Nepalin, Nikaraguan, Nigerinë, Pakistanin, Republikën e Kongos, Rusinë, Ruandën, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçinë, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegalin, Sierra Leonen, Somalinë, Sudanin e Jugut, Sudanin, Sirinë, Tanzaninë, Tajlandën, Togon, Tunizinë, Ugandën, Uruguain, Uzbekistanin dhe Jemenin.