Rezervat e Shtetit lihen bosh, FSHZH do ta kthejë në park sportiv

Pa asnjë mall brenda, me magazina të shkatërruara ose të dhëna me qira, Rezervat e Shtetit administrohen vetëm formalisht nga kryetarët lokalë të Partisë Socialiste. Dega kryesore e Rezervave në Lundër të Tiranës do të “konvertohet” në një park sportiv dhe argëtues, duke rrezikuar përveç rezervave edhe dy institucione të tjera: Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe Arkivin e Shtetit.

Autorë:
ROLAND BEQIRAJ
ZYLYFTAR BREGU

Rezervat e shtetit në krizë

Në maj të vitit 2022 Agjencia e Blerjeve të Përqendruara u detyrua të anulonte një tender me vlerë 33 milionë lekë për blerjen e produkteve ushqimore për llogari të Rezervave të Shtetit, pasi asnjë subjekt nuk paraqiti ofertë. Bëhej fjalë për blerjen e produkteve bazë, si makarona, oriz, fasule, miell, vaj, kripë dhe konserva, që magazinohen për t`u përdorur në raste emergjencash.

Historia është përsëritur edhe përgjatë vitit 2023. Dështimi i tenderëve për furnizimin e magazinave të Rezervave të Shtetit rrezikon të cenojë sigurinë kombëtare. Bazuar në dëshmitë në terren, por edhe në dokumente të vetë institucioneve INA Media konstatoi se aktualisht në magazinat e Rezervave të Shtetit nuk ka asnjë kilogram grurë e asnjë litër naftë për të përballuar emergjencat. Ndryshe nga ligji, që detyron një sasi minimale, të detyrueshme, rezervat e shtetit po mbahen në këmbë nga mallrat e sekuestruara nga policia si pasuri të krimit.

“Magazinat e Rezervave të Shtetit në administrim të Drejtorisë së Korçës janë thuajse bosh. Në to gjenden vetëm pak mallra të sekuestruara nga policia”, – shpjegon një punonjës i Rezervave në Korçë. Sipas tij, deri në vitin 2013 magazinat kanë pasur sasi të konsiderueshme mielli, vaji, orizi, makaronash, fasulesh dhe ushqimesh të konservuara, të cilat zëvendësoheshin para datës së skadencës; ndërsa karburant dhe ujë në Rezervat e Korçës nuk ka pasur që pas viteve `90. Drejtuesi i Rezervave të Korçës nuk preferoi që të jepte një koment, për situatën ku ndodhej, por na delegoi te Drejtoria Qendrore.

Në të njëjtën situatë gjendet edhe dega e Rezervave të Dibrës (me qendër në Burrel). Sipas inventarit të kësaj dege, që INA Media e ka siguruar, ajo ka në magazinë vetëm mallra të sekuestruara nga policia, makina të sekuestruara dhe të konfiskuara, të përdorura në veprimtari kriminale ose që dyshohen si asetet, që janë krijuar nga veprimtaria e paligjshme. Panorama paraqitet e njëjtë edhe në Degën e Rezervave të Shtetit në Fier (me qendër në Vlorë), si dhe në Shkodër.

Kolapsi pranohet edhe në procesverbalin e analizës vjetore të Drejtorisë së Rezervave të Shtetit, që INA Media e disponon. Shkaku ngjan absurd. Kanë dështuar ankandet e realizuara.

“Për vitin 2023 DPRMSH parashikoi vlerën prej 40 000 000 lekësh për blerje mallrash ushqimorë, 14 000 000 lekë blerje mallrash industrialë dhe 2 000 000 lekë për blerje ushqimi për bagëti. Nga këto u realizua vetëm blerja e mallrave ushqimorë në vlerën 14 000 000 lekë. Pjesa tjetër mbeti e parealizuar si pasojë e dështimit të procedurave të tenderimit nga Autoriteti Kontraktor, ASHPP. Zëri Blerja e mallrave industrialë nuk u realizua si pasojë e dështimit të procedurave të tenderimit, ndërsa blerja e ushqimit për bagëtitë u realizua në masën 1 869 288 lekë”, – shkruhet në procesverbal.

Dokumenti ekskluziv shpjegon se Rezervat nga mallrat ushqimorë kanë arritur të blejnë vetëm “konservat” dhe të gjitha të tjerat kanë dështuar.

Situata është konstatuar një vit më parë edhe nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Sipas këtij raporti, për artikujt grurë, naftë dhe mjete të vogla lundrimi gjendja është zero.

Ministria e Mbrojtjes, institucioni përgjegjës për Rezervat e Shtetit, në një kërkesë me shkrim për INA Median iu shmang përgjigjes, duke përdorur Ligjin për Rezervat Materiale.

“Sasia dhe gjendja e mallrave rezervë shtetërore ka karakter sekret. E ndodhur në këto kushte nuk mund t’iu vërë në dispozicion informacionin e kërkuar”, – tha DPRMSH.

Të njëjtin motiv, për të mos treguar sasinë e mallrave ushqimorë në Rezervat e Shtetit, përdor edhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit, por kjo drejtori duket se e kalon përgjegjësinë edhe te Ministria e Financave dhe e Ekonomisë.

“Ministria e Mbrojtjes, me shkresën nr. 6201/1 prot., datë 10.11.2023, “Kërkesë për rishpërndarje të fondeve në programin buxhetor “Emergjencat Civile”, drejtuar Komisionit të Sigurisë Kombëtare, në Kuvendin e Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave dhe të Ekonomisë, ka kërkuar një rishpërndarje të fondit në programin buxhetor “Emergjencat Civile”, me qëllim mbështetjen e RMSH me fonde. Kjo rishpërndarje nuk u realizua nga MFE. Në planifikimin buxhetor, afatmesëm 2025-2027, RMSH ka planifikuar fonde dhe shtesa mbi to me qëllim plotësimin e gjendjes së mallrave rezervë materiale shtetërore”, – përgjigjet Drejtoria e Rezervave në lidhje me mospërmbushjen e funksionit të saj, të vetëm.

Të dhënat tregojnë se Ministria e Mbrojtjes nga buxheti i saj “ndan” fonde krejt minimale për një strukturë kaq të rëndësishme, siç janë Rezervat e Shtetit. Ato nuk shkojnë as 0.5% e buxhetit të Ministrisë së Mbrojtjes.

VitiBuxheti i Ministrisë së MbrojtjesBuxheti për Rezervat e ShtetitPesha që buxheti i Rezervave zë në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes %
201921,669,92397,1020.45%
202021,353,33293,1820.44%
202123,072,11299,2470.43%
202225,847,592208,9690.81%

Tabelë e marrë nga Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit

Referuar ligjit, rezervat materiale të shtetit përdoren për të ndërhyrë në mënyrë operative për mbrojtjen e vendit, të popullsisë, të ekonomisë, të pasurisë, të shëndetit etj., nën situata të gjendjes së jashtëzakonshme; të gjendjes së fatkeqësisë natyrore ose fatkeqësive të tjera apo gjatë krizave humanitare etj.

Si pasojë, ato duhet të jenë gjithmonë në gatishmëri, ndaj Këshilli i Ministrave në vendimin e vitit 2008 ka parashikuar edhe gjendjen minimale të mallrave, që duhet të jenë gjendje në magazinat e shtetit. Sipas këtij vendimi, në magazinë duhet të ketë më së paku 300 kuintalë grurë dhe 200 tonë miell, si dhe 100 mijë litra naftë.

Shkelja e ligjit dhe e Vendimit të Këshillit të Ministrave për sasitë minimale të një liste mallrash dhe ushqimesh pasohet me disa efekte. Edhe në rastin e një emergjence të pjesshme civile (përmbytje, tërmet etj., në një rajon të caktuar) e bën të pamundur reagimin e Emergjencave Civile.

“Në rast të një emergjence rezervat janë bosh, nuk ka kohë që të zbatohen procedurat në mënyrë normale. Kjo situatë na çon në shkelje të procedurave ligjore”, – thotë ish-drejtori i Rezervave të Shtetit, Irfan Dashi (2013-2018).

Sipas tij, gjithçka varet nga lloji i emergjencës, numri i familjeve që kanë nevojë për ndihmë, por askush nuk ka menduar, nëse emergjenca është kombëtare.

Që nga koha kur struktura e Rezervave të Shtetit varej nga Ministria e Brendshme, administron një numër të lartë mjetesh, të cilat janë të konfiskuara, por edhe të përcjella në ruajtje nga prokuroritë e rretheve. Në total numri i mjeteve ka qenë rreth 4 mijë. Për shumicën e tyre, rreth 2.700, përgjatë vitit 2023 është zhvilluar ankandi për t`u shitur për skrap, mirëpo gjatë procesit të dorëzimit nga Rezervat te kompania “Çekrezi sh.p.k.”, e cila ka fituar tenderin, janë konstatuar mangësi në numër. Sipas një dokumenti ekskluziv, që zotëron INA Media, vetëm në degën e Matit kanë munguar 17 mjete. Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit në një përgjigje me shkrim për INA Median pohon se është përgjegjësi e Drejtorive të Policisë për vijimin e procesit dhe ky proces është duke vijuar.

Rezervat e Shtetit deri në vitin 2003 kanë qenë strukturë që varej nga kryeministri. Më pas kaluan nën varësinë e Ministrisë për Pushtetin Vendor dhe Decentralizimin. Qëndruan në këtë varësi deri në vitin 2008, për t`i “rrëmbyer” Ministria e Brendshme. Pas një dekade, nga viti 2019 janë si një “apendiks” i Ministrisë së Mbrojtjes.

Si po tjetërsohen Rezervat e Shtetit

Më 12 dhjetor 2022, me anë të VKM 808, qeveria shqiptare vendosi që Agjencia kryesore e Rezervave të Shtetit, ajo e Lundrës, me një sipërfaqe prej më shumë se 95 hektarësh, me dhjetëra magazina brenda saj, të “rrafshohet” e të kthehet në një park argëtues e sportiv. Pasuria i kaloi Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili, sipas vendimit të qeverisë, nuk duhet që ta ndryshojë destinacionin, por procedura e kalimit të pronësisë së kësaj prone të majme ka ngritur pikëpyetje për ekspertët e Kontrollit të Shtetit. Ata kanë evidentuar se, drejtori i komanduar prej vitesh i Rezervave të Shtetit ka dhënë me nxitim brenda një dite dakordësinë për tjetërsimin e kësaj prone.

“Të gjitha veprimet, nga regjistrimi i kërkesës për prononcim të Ministrisë së Mbrojtjes deri në kthimin e përgjigjes nga DPRMSH, janë ezauruar brenda një dite, datë 06.10.2022. Pra, institucioneve nuk iu është nevojitur kohë për vlerësimin e situatës dhe kthimin e përgjigjes, pavarësisht rëndësisë që kjo vendimmarrje kishte”, – thotë KLSH në një raport të korrikut 2023, të kryer te Rezervat e Shtetit.

Ekspertët kanë pikëpyetje për arsyet e tjetërsimit të kësaj prone. Sipas tyre, e gjitha po bëhet për t`i shërbyer komplekseve të vilave private, që janë ndërtuar në këtë zonë.

“Vendimi bëhet për të plotësuar orekset e oligarkëve, që kanë ndërtuar ngjitur me Rezervat”, – shprehet një ish-drejtues i Rezervave të Shtetit në kushte anonimati.

Vetë Fondi Shqiptar i Zhvillimit e ka pranuar se e gjithë kjo hapësirë do të vihet në shërbim të tyre.

“Transformimi i kësaj hapësire është tepër i nevojshëm, për ta bërë sa më të aksesueshme nga të gjithë, por dhe si pjesë integrale e zonave të banimit, që janë krijuar vitet e fundit pranë kësaj zone”, – thuhet në argumentet, që FSHZH ka renditur, kur i ka paraqitur kërkesën për të marrë nën pronësi këtë pasuri Ministrisë së Mbrojtjes dhe kryeministrit. Sipas FSHZH, ky objekt ka degraduar dhe ka humbur funksionin parësor, atë të rezervave të shtetit.

Dy vite pas këtij vendimi të diskutueshëm, projekti i FSHZH ka ngecur në vend, ndërsa magazinat e rezervave të Lundrës po dalin jashtë funksionit, si pasojë e degradimit, pa gjetur ende një zgjidhje se ku do të strehohen.

Bisedimet kanë nisur që në shkurt të vitit 2023. Fondi Shqiptar i Zhvillimit nuk iu përgjigj kërkesës së INA Medias për të sqaruar se përse nuk ka arritur një marrëveshje me tri institucionet, se ku do të zhvendosen.

As Ministria e Mbrojtjes, nën varësinë e së cilës janë Rezervat e Shtetit, nuk jep shpjegime, por pranon se “nuk ka ende një marrëveshje për dorëzimin e pronës”.

Edhe Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit në një përgjigje me shkrim pranon se FSHZH nuk ka paraqitur ende një projekt për zhvendosjen e institucioneve që ndodhen në këtë qendër dhe as nuk janë lidhur aktmarrëveshje me këtë institucion për plotësimin e nevojave të DPRMSH-së.

Drejtoria e Rezervave të Shtetit thotë se e ka informuar Fondin Shqiptar të Zhvillimit, se nuk mund ta lëshojë objektin pa nënshkruar marrëveshjen dypalëshe, por ende nuk kanë një përgjigje.

Brenda sipërfaqes, ku janë magazinat e Rezervave të Shtetit, gjenden edhe dy institucione të tjera, shumë të rëndësishme për vendin: Arkivi Shtetëror dhe magazinat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (ku mbahet materiali zgjedhor, fletët e votimit, kutitë etj., që janë materiale me vlerë për integritetin e zgjedhjeve). Në pikën katër të vendimit qeveria ngarkon Fondin Shqiptar të Zhvillimit, që përpara marrjes në dorëzim të pronës, të plotësojë nevojat e të tria institucioneve. E thënë ndryshe, të ndërtojë magazinat për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, për Rezervat e Shtetit dhe për Arkivin Shtetëror. I gjithë ky proces duket kompleks dhe shumë i shtrenjtë.

KQZ është shprehur parimisht dakord për zhvendosjen e magazinave të tij nga ky kompleks, madje ka kërkuar trefishim të kapacitetit magazinues, në 8.450 metra2 nga 3.200 metra2, që ka aktualisht.

Pavarësisht se KQZ ka identifikuar një ish-repart ushtarak në një zonë më të aksesueshme, deri tani asgjë nuk është realizuar. KQZ do të vijojë t`i mbajë materialet zgjedhore në Lundër edhe për zgjedhjet e ardhshme, edhe pse magazinat janë në kushte të papërshtatshme.

Përveç degës së Lundrës, Rezervat e Shtetit kanë thuajse gjysmën e pasurisë së tyre të paregjistruar në Hipotekë. “Nga 54 agjenci, vetëm 33 janë të pajisura me hipotekë, një është në proces dhe 21 janë të paregjistruara”, – shkruhet në një dokument konfidencial të Drejtorisë së Rezervave të Shtetit mbi infrastrukturën, hartuar në fund të janarit 2024.

Situata pranohet edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit (DPRSH) në një përgjigje me shkrim për INA Median.

Por, edhe mes këtyre pronave, një pjesë e tyre janë dhënë me qira ose janë shitur.

Sipas KLSH, dy prona janë shitur, 2 prona janë dhënë me qira 1 Euro, 2 prona janë dhënë me qira njëvjeçare nga DPRMSH, një pronë është kaluar pranë Agjencisë së Trajtimit të Pronave për t`u përdorur si fond kompensimi dhe 5 prona janë transferuar në institucione të tjera, sipas vendimeve përkatëse të Këshillit të Ministrave.

Panorama, që përcjell vetë Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit, tregon se godinat e Rezervave të Shtetit dhe sipërfaqja rrotull tyre kanë shërbyer si “qoka të pushtetit”.

Njësia e Rezervave që është shiturVendndodhjaSipërfaqjaKush e ka blerëKur e ka blerë
Depo 2 Kat.Njësia Administrative Nr. 6, Kombinat, TiranëA. Xhameta15.03.2007
Agjencia 270 Vlorë – Depot Nr. 6, Nr. 7, Nr. 8, Nr. 9, Nr. 10, Nr. 11Bashkia Vlorë21027 m² truallMiriam Ibrahimi24.06.2011
Depo VajiBashkia VlorëSipërfaqe totale 5794 m², sipërfaqe ndërtimore 499.9 m²Q. Cakerri11.01.2012
Agjencia HalilajNjësia Administrative Fushë-KrujëSip . truall 2366 m² truall bashkë me objektetA. Halili07.06.2013
Parku i transportit, OfiçinaBashkia ElbasanKryegjyshata Botërore Bektashiane04.11.2013
Agjencia Tapizë,Njësia administrative Zall-Herr, TiranëK. Voga09.09.2015
Agjencia 270 Vlorë – Depo Nr. 3, Nr. 4, Nr. 5Bashkia VlorëMiriam Ibrahimi14.11.2016
Agjencia LabinotNjësia Administrative BradasheshS=105127 m² truallRozafa sh.p.k.03.10.2019

Tabela e pronave të Rezervave të Shtetit, të shitura që nga viti 2007

Sipas kësaj drejtorie, ish-Ministria e Financave dhe e Ekonomisë ka lidhur dy kontrata qiraje (emfiteozë).

Në vitin 2014 është dhënë me qira 1 Euro dhe për një periudhë 20-vjeçare Agjencia e Rezervave të Shtetit, Dorëz, në Librazhd, me sipërfaqe të përgjithshme 38.200 m² (ndërtesë 7.112 m² dhe sipërfaqe funksionale 30.988 m²); ndërsa në vitin 2015 i janë dhënë me qira 1 Euro subjektit “Lorenso sh.p.k.” për një periudhë 20-vjeçare objektet: Depo nr. 1, Depo nr. 2, Depo nr. 3 të Agjencisë së Rezervave të Shtetit, Plasë, Korçë, me sipërfaqe të përgjithshme 8.699 m² (ndërtesë 2.200 m² dhe sipërfaqe funksionale 6.498 m²).

Kjo drejtori pranon se ka privatizuar me mijëra metra katrorë godina dhe qindra mijë metra tokë rrotull godinave janë shitur.

Rezervë punësimi për partinë në pushtet

“Robert Hysenllari duhet të përjashtohej nga Administrata Publike e shtetit shqiptar”. Ky ka qenë rekomandimi i Kontrollit të Lartë të Shtetit, që pas një kontrolli në strukturën e Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile ka gjetur një mal shkeljesh dhe abuzimesh. I pari në listën e përgjegjësve ishte Hysenllari, që mbante disa detyra në këtë strukturë.

KLSH i ka rekomanduar, më 15 prill 2022, ministrit të Mbrojtjes, titullarit të AKMC, që t’i kërkojnë Komisionit Disiplinor pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile të japë masat e rekomanduara.

Këtu nis falsifikimi. Tre muaj pas rekomandimit të KLSH-së, Komisioni Disiplinor i Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (që drejtohej prej Hysenllarit), merr vendim, në vend të përjashtimit të drejtorit vendos pezullim nga e drejta e ngritjes në detyrë, përfshirë rritjen në shkallën e pagës për një periudhë njëvjeçare”. Zbutet rekomandimi i KLSH-së.

Më pas drejtori Hysenllari e çon në Gjykatën Administrative të Tiranës vendimin që ka marrë Komisioni Disiplinor.

Gjykata Administrative, më 23 nëntor 2022, me një argumentim të karakterit sofist rrëzon edhe vendimin e Komisionit Disiplinor dhe e pastron përfundimisht figurën e Robert Hysenllarit, madje edhe shpenzimet e gjyqit duhet t’i paguajë Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.

5 muaj pas vendimit të Gjykatës Administrative, që nuk e ka apeluar askush, Hysenllari është emëruar në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Rezervave të Shtetit me urdhër të ministrit të Mbrojtjes, Niko Peleshi, në datën 28 prill të vitit 2023. Emërimi fillimisht ka qenë për një muaj. Vetëm për periudhën 02.05.2023-02.06.2023. Arsyet e këtij emërimi njëjavor nuk shpjegohen. Por, pasi ka përfunduar afati i parë, ai është emëruar sërish dhe aktualisht vazhdon në postin e drejtorit.

Procedurat ligjore të Drejtorit të Përgjithshëm reflektojnë në të gjithë administratën e Rezervave të Shtetit. Drejtuesit e degëve lokale të Rezervave të Shtetit janë eksponentë të Partisë Socialiste. Po ashtu, edhe administrata. Në krye të Drejtorisë Rajonale të Korçës prej një viti qëndron i komanduar Ornild Demollari, kryetari i Partisë Socialiste për Bashkinë e Maliqit. Edhe dy paraardhësit e tij kanë qenë kryetarët e Partisë Socialiste në qarkun e Korçës. Drejtoria Rajonale e Dibrës (që ndodhet në Mat) drejtohet nga Zeqir Losha, anëtar i Kryesisë së Partisë Socialiste të Bulqizës. Në krye të Drejtorisë së Shkodrës, por me zyrat në Pukë, qëndron Vili Vreoni (edhe ky i komanduar), ndërsa në Degën Rajonale të Fierit, por me zyrat në Vlorë, qëndron Jorgo Mukaj. Gjendja nuk është përmirësuar edhe pas konstatimeve dhe rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Nga 5 drejtori rajonale, që DPRMSH ka në varësi, drejtorë të emëruar janë 3 (tre) dhe drejtorë të komanduar janë 2 (dy)”, – shkruan Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave të Shtetit në një përgjigje për INA Median.

Për ekspertët ndryshimi i shpeshtë i varësisë është shoqëruar me degradimin e infrastrukturës së Rezervave dhe të strukturës administrative.

“Kalimi në Ministrinë e Mbrojtjes u bë si një taktikë e qeverisë shqiptare për të rritur në mënyrë artificiale buxhetin për mbrojtjen, si një detyrim ndaj NATO-s”,- përfundon një ish-drejtues i Rezervave të Shtetit. Verifikoj.al