Reshjet e shiut dhe dëborës vështirësojnë qarkullimin në vend, Policia Rrugore apel drejtuesve të mjeteve

Reshjet e dendura të shiut në të gjithë vendin dhe dëbora në disa zona malore kanë krijuar vështirësi në qarkullim, duke shtuar rrezikun për aksidente rrugore.

Policia Rrugore i kërkon drejtuesve të mjeteve të jenë maksimalisht të kujdesshëm, të respektojnë sinjalistikën, të përdorin goma dimërore dhe zinxhirë aty ku është e nevojshme, si dhe të ndjekin udhëzimet e punonjësve të policisë në terren.

Në apel theksohet gjithashtu domosdoshmëria e përdorimit të rripit të sigurimit, shmangies së përdorimit të celularit gjatë drejtimit, respektimit të kufizimeve të shpejtësisë dhe ndalimit të parakalimeve të rrezikshme.

Njoftimi i Policisë:

Apel për kujdes për të gjithë përdoruesit e rrugës!

Moti i keq me reshje shiu në të gjithë vendin dhe reshje dëbore në disa zona, ka bërë që të rritet prezenca e shërbimeve të Policisë Rrugore dhe të Patrullave të Përgjithshme, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore dhe ardhjen në ndihmë të përdoruesve të rrugës në rast nevoje.

Shërbimet e Policisë po bashkëpunojnë me entet pronare të rrugëve dhe me firmat kontraktore, me qëllim pastrimin e rrugëve nga bora dhe shpërndarjen e kripës .

Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të bëjnë kujdes në lëvizje, të respektojnë sinjalistikën rrugore , të pajisen me zinxhirë dhe goma dimërore dhe të ndjekin udhëzimet e shërbimeve të Policisë Rrugore.

Gjithashtu, të gjithë drejtuesit e mjeteve të rrisin kujdesin në të gjitha akset rrugore, të vendosin rripin e sigurimit, të mos përdorin celularin gjatë drejtimit të mjetit, të mos qarkullojnë me shpejtësi, të mos kryejnë parakalime dhe të mos drejtojnë mjetin nën ndikimin e alkoolit apo, më keq akoma, në gjendje të dehur.