Media Ditari

Emrat Qamil Zela dhe Gjovalin Lazri mund të mos ju kujtojnë asgjë për momentin, por fatkeqësia e tyre duhet të kujtohet mirë nga prokurorët dhe gjyqtarët, përpara se të marrin vendime për të liruar nga qelitë “të fortët” apo të pushtetshmit.

52 vjeçari Qamil Zela nga Lushnja u arrestua në tetor të vitit 2014 për shkak të abuzimeve me energjinë elektrike, për shkak të një debie prej 35 mijë lekësh të vjetra që kishte ndaj OSHEE-së. Pas arrestimit ai ra në depresion, pasi nuk mund të duronte “poshtërimin” që po i bëhej, ku prej dy muajsh mbahej në qelitë e burgut. Ishte mesdita e 28 dhjetorit të po atij viti, kur ai vendosi t’i jepte fund jetës në qelinë e tij, duke u vetëvarur me një shall. Vetëm 35 mijë lekë të vjetra e detyruan që të ndahej përgjithmonë nga familja.

Borxhet nga faturat e energjisë elektrike i morën jetën një tjetër qytetari, Gjovalin Lazrit, baba i 4 fëmijëve, i cili kreu aktin ekstrem duke u vetëvrarë për shkak të një borxhi prej rreth 7 milionë lekë (të vjetra) pa paguar te OSHEE. Energjia elektrike ishte ndërprerë prej dy javësh në familjen Lazri, pavarësisht se brenda barakës ku ata jetonin, qëndronte ndezur vetëm një llampë dhe një pompë uji, që të bën të dyshosh sesi një familje mund të konsumojë kaq shumë energji, pa patur elektroshtëpiake apo orendi të tjera. Por, ai ishte shprehur se energjia i duhet për të jetuar, megjithëse nuk do të pranonte të shkonte në burg. Pak minuta pasi kishte rilidhur energjinë elektrike ai është gjetur nga i biri duke dhënë shpirt, pasi kishte pirë fotoksinë.

Por çfarë kanë të përbashkëta këto raste?

Të dyja vetëvrasjet e qytetarëve kanë ndodhur në kohën kur ministër i Brendshëm ishte Saimir Tahiri. Ishin policët e tij ata që burgosën Qamil Zelën, teksa ishin po ata që kërcënonin me burg Gjovalin Lazrin, duke i detyruar të dy që të mos kishin zgjidhje tjetër, veçse të kryenin vetëvrasje. I njëji ministër që sot u lirua nga burgu, pasi ishte dënuar për “shpërdorim detyre”, por i akuzuar edhe për “Grup të strukturuar kriminal” dhe “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim”. Dy akuzave të rënda ia “hodhi paq”, teksa u dënua vetëm për shpërdorim detyre, por edhe këtë dënim tashmë do ta kryejë në shtëpi afër familjes.

Për Qamil Zelën gjykatësja veproi me dorë të hekurt, ndërsa për Tahirin, gjyqtarja Matilda Fetau që kaloi vetëm 4 ditë më parë Vettingun, u tregua e ndjeshme dhe e lejoi të shkonte pranë fëmijëve, pasi bashkëshortja e ish-ministrit nuk mund të kujdesej për ta.

Por a është kjo fytyra e vërtetë e drejtësisë shqiptare? A ishte kjo reforma e madhe e drejtësisë që na u trumbetua kaq shumë nga SHBA dhe aleatët e tjerë? Nëse po, nuk e duam, mund ta marrin dhe ta aplikojnë në SHBA dhe kudo tjetër. Qytetarët duhet të jenë të barabartë përpara ligjit, nuk ka rëndësi nëse je i pasur apo i varfër, ish-ministër apo punonjës i thjeshtë. Nëse drejtësia do të ishte e njëjtë për të gjithë, sot Qamil Zela dhe Gjovalin Lazri do të ishin pranë familjeve të tyre, ndërsa Saimir Tahiri do të vazhdonte të qëndronte prapa hekurave, duke kryer dënimin për veprat penale që kreu.

Te ngjashme