“Jemi në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit”. Kështu u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë protestës së opozitës para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, pas disa skandaleve që kanë përfshirë qeverinë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha para qytetarëve se Edi Rama i ka shpallur luftë drejtësisë, duke e cilësuar atë si kryehajdutin e kombit shqiptar. Sipas tij, Edi Rama është armiku më i rrezikshëm i Shqipërisë, që sipas tij po rrezikon anëtarësimin e Shqipërisë në BE me vjedhjet e tij.
“Qytetarë dhe qytetare të mbarë Shqipërisë, zhvillimet e ditëve të fundit bëjnë që ne të mblidhemi sot në këtë shesh në kushte ndër më alarmantet. Ndoshta jemi mbledhur në kryengritjen tonë paqësore, në momentin më kritik të Shqipërisë në 35 vitet e fundit. Ndaj dhe më duhet të nis këtë fjalë me një shprehje që sot tingëllon më aktuale, më e rëndësishme se kurrë. Ata që harrojnë të shkuarën janë të dënuar ta përsërisin atë. Miqtë e mi, Shqipëria është një vend i bekuar se kemi njëri-tjetrin, ja ku jemi këtu, një det i madh luftëtarësh, guximtarësh, njerëz të vendosur t’i dalim zot Shqipërisë. Shqipëria është një vend i bekuar prej pasurive përrallore që Zoti i ka dhuruar asaj, jemi të bekuar për traditat tona të mrekullueshme të mbartura gjeneratë pas gjenerate. Mirëpo nëse Shqipëria është e bekuar me popullin e saj e pasuritë e saj, nuk mund të mohohet se ne kemi qenë apo kemi përjetuar mallkime në një farë mënyre ne kemi përjetuar dhe provuar armiq të egër të pamëshirshëm ndaj nesh, që padyshim i kanë sjellë dëmet më serioze kombit tonë. Kurrë nuk duhet të harrojmë shekullin që lamë pas, diktaturën e Enver Hoxhës, krimet që kreu ajo ndaj shqiptarëve. Të gjitha këto i vodhën shqiptarëve 45 vite jetë, gati gjysmën e shekullit të kaluar. Asnjë nuk ka dyshime, ndonëse sot ka përpjekje për rehabilitimn e atij regjimi nga bijtë bastardë të saj. Se Enver Hoxha ka qenë një armik i egër, Hitleri shqiptar i pas luftës së dytë botërore.
Ky armik i egër na qeverisi për 45 vite pavarësisht krimeve të tij. Po sot çfarë po ndodh me Shqipërinë? Nëse shekullin e kaluar u mbajtëm peng 45 vite, në këtë shekull me një shpejtësi krejt tjetër Shqipëria përballet me pasoja akoma më katastrofike”, tha Berisha.
Kryedemokrati u ndal edhe te çështja Balluku dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese, me këtë të fundit të pandehur nga SPAK për Tunelin e Llogarasë dhe nën hetim për Unazën e Madhe.
Berisha tha gjatë protestës se kryeministri Edi Rama përdori pushtetin ekzekutiv për të bllokuar SPAK dhe presionuar Gjykatën Kushtetuese në mbrojtje të Ballukut.
“Edi Rama prej 2 muajve përdori gjithë pushtetin e ekzekutivit për bllokimin e prokurorisë dhe presionit të të gjitha llojeve ndaj Gjykatës Kushtetuese për të mbrojtur bashkëhajduten e 50 mln eurove në tunelin e Llogarasë, për të mbajtur në detyrë bashkautoren e qindra mln eurove, për të mbajtur bashkëhajduten që ndërtoi Qukës-Qafë Plloçë 9 mln euro pa asnjë urë e tunel. U përpoq të bëhej pushteti për të mbrojtur lubinë sepse prapa saj është vetë ai. Faza e parë e këtij grushti shteti dështoi dhe këtu ju keni të gjithë pjesën e kontributit tuaj, me protestën tuaj”, tha Berisha.