Prokuroria dërgon në gjyq 7 persona, mjeku Roland Xhaxho dhe e bija akuzohen për “vrasje nga pakujdesia” të 3 vjeçarit Brian Spahiu

Prokuroria e Tiranës ka mbyllur hetimet dhe ka dërguar për gjyq 7 persona, në lihdje me humbjen e jetës së vogëlushit 3 vjeçar Brian Spahiu, pas një ndërhyrje në një klinikë dentare në kryeqytet.

Prokuroria ka ngritur akuza ndaj:

Ronald Xhaxho dhe Marta Gina, për veprat penale “Vrasje nga pakujdesia” dhe “Mashtrim”, kryer në bashkëpunim;

Ina Xhaxho, për “Vrasje nga pakujdesia”, “Mashtrim” në bashkëpunim dhe “Ushtrim i aktivitetit të paligjshëm”;

Elton Serani dhe Erindo Allo, për veprën penale “Shpërdorim detyre”;

Durim Sala dhe Vladimir Hoxha, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.

Ngjarja ka ndodhur më 28 shtator 2023, kur i mituri iu nënshtrua një ndërhyrjeje dentare në 14 dhëmbë në klinikën “Splendent”, e drejtuar nga mjekët R.Xh. dhe I.Xh. Pas ndërhyrjes, fëmija është kthyer në banesë, por brenda pak orësh është dërguar në gjendje të rëndë shëndetësore, në gjendje kome dhe me insuficiencë respiratore akute, në Spitalin e Pediatrisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”. I mituri ka ndërruar jetë më 1 tetor 2023.

Sipas aktit të riekspertimit dhe ekspertimit mjekoligjor shtesë, të kryer nga një grup ekspertësh italianë, shkaku kryesor i vdekjes ka qenë shoku septik i rëndë, i cili ka sjellë insuficiencë progresive shumëorganore. Ekspertët kanë konstatuar se gjatë ndërhyrjes dentare dhe procedurës së anestezisë janë kryer shkelje të rënda të protokolleve mjekësore ndërkombëtare, të cilat kanë pasur lidhje shkakësore të drejtpërdrejtë me vdekjen e të miturit.

Sipas Prokurorisë, shkeljet përfshijnë mungesën e vlerësimit të plotë klinik para ndërhyrjes, moskryerjen e analizave të detyrueshme, mosformulimin e një diagnoze të saktë, kryerjen e një ndërhyrjeje më të gjerë se sa lejohet për moshën e fëmijës, përdorimin e anestezisë së përgjithshme për rreth 5 orë, si dhe largimin e papërshtatshëm të fëmijës nga klinika pas ndërhyrjes.