Ish-Presidenti amerikan Bill Klinton do të vizitojë për herë të parë Shqipërinë nesër, në një vizitë 24 orarëshe, teksa është zbardhur edhe axhenda e vizitës së tij zyrtare në Tiranë.
Klinton dhe delegacioni që e shoqëron do të mbërrijnë në aeroportin “Nënë Tereza” nesër pasdite, ku fillimisht do të priten në orën 19:00 nga kryeministri Edi Rama në një ceremoni të posaçme zyrtare në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë Kryeministrisë, me pjesëmarrjen edhe të qytetarëve.
Pas himneve kombëtare, Rama dhe Klinton do të bëjnë parakalimin ceremonial dhe do të nderojnë flamujt e dy vendeve. Rama do të mbajë një fjalim të shkurtër në orën 19:05, ndërsa më pas do t’i jape ish-Presidentit çmimin e akorduar.
Në orën 19.25 do të zhvillohet ceremonia e nderimit të Presidentit të 42 të SHBA-ve Bill Klinton me “Yllin e Mirënjohjes për Arritjet Publike” që do të pasohet nga fjalimi i Presidentit.