Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ishte sot në Shkodër, ku prezantoi kandidatët për deputetë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Teksa u ndal tek goditjet e drejtësisë brenda radhëve të PS, Rama u shpreh se opozita po tenton ta përdorë këtë situtatë duke e konsideruar SPAK si aleat për politikën e tyre.
“Ata që s’do kenë asgjë në dorë, ata SPAK e shohim si të vetmen hapësirë që të kapin ndonjë gjë, sepse ndryshe s’kanë se si luftojnë me ne. E shohin si aleat për të bërë politikë opozitare dhe kjo është normale, punë e tyre. Ndërkohë që bufi i kënetës dhe bashkë me kënetën thonë me 12 maj ne do ta shkrijmë. Kështu që ne jemi garantët për këtë dhe duhet të jemi shumë krenarë për këtë”, tha ai.
Pasi lëshoi kryetarin e Bashkisë së Tiranës Erion Veliajn, Rama u përmendi “burgun” të gjithë atyre që përdorin votën e Partisë Socialiste për punë jo të ndershme.
Ai theksoi se kush zbulon me besimin e qytetarëve duhet të shkojë atje ku e ka vendin.
“Ne e kemi shumë të qartë vijën kush është këtu për qëllimin e përbashkët, është i nderuar, kush devijon nga rruga për qëllimin e përbashkët dhe e përdor fuqinë që i jep populli përmes PS për të bërë punë jo të ndershme pas shpinës tonë, të shkojë atje ku e ka vendin. Është shumë e thjeshtë, nuk ka asnjë gjë për të pasur dyshime dhe dilema”, tha Rama.