Është përjashtuar nga Policia e Shtetit nënkomisari K. P., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë. Përjashtimi për nënkomisarin është firmosur nga drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë.
Po ashtu Rrumbullaku ka urdhëruar kryerjen e një hetimi të thelluar disiplinor për të gjithë sistemin drejtues të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.
Njoftimi i policise:
Përjashtohet nga Policia e Shtetit një punonjës dhe nis hetimi i thelluar disiplinor për sistemin drejtues në Komisariatin Nr. 4 të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, firmosi masën disiplinore “përjashtim nga policia” për një punonjës, për të cilin Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka kryer arrestimin në flagrancë, në vijim të hetimeve nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Bazuar në ligjin 108/2014 “Për Policinë e Shtetit” dhe Rregulloren e Policisë së Shtetit, përjashtimi i nënkomisar K. P., me detyrë specialist për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 4 Tiranë, është bërë për veprime korruptive, sjellje të rëndë diskretituese, shkelje të rëndë të atributeve, shkelje të kompetencave të policisë dhe mosbindje të rëndë.
Gjithashtu, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, kërkoi nga Drejtoria e Standardeve Profesionale, kryerjen e një hetimi të thelluar disiplinor, jo vetëm për punonjësin e policisë, por për të gjithë sistemin drejtues të Komisariatit të Policisë Nr. 4 në Tiranë.
“Duhet të evidentohet shumë qartë, me një punë të shpejtë dhe profesionale, e gjithë përgjegjësia e linjës drejtuese për sa i përket rastit konkret, duke marrë masat përkatëse. Drejtuesit e strukturave ngarkohen me përgjegjësi direkte për veprimet e tyre dhe të vartësve, ndaj kërkoj një verifikim të plotë të rastit në Komisariatin e Policisë Nr. 4 në Tiranë”, u shpreh Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Muhamet Rrumbullaku, vlerësoi bashkëpunimin me AMP-në e Prokurorinë dhe shprehu angazhimin maksimal për thellimin e tij.