Nga SPAK, Kryemadhi mbron Ilir Metën: Mos e ngatërroni me Erion Veliajn

Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi ka folur për gazetarët jashtë dyerve të SPAK teksa u paraqit për të zbatuar masën “detyrim paraqitje”.

Në një komunikim për gazetarët, Kryemadhi tha se SPAK duhet që të kryeje hetime të thelluara për çështjen e inceneratorit të Tiranës.

“Po kështu nëpërmjet kësaj deklaratë t’i rikujtoj SPAK inceneratorin e Tiranës sesi bashkia vazhdon të paguajë 29 euro për ton. Për të vazhduar me sipërfaqen mbi 15 hektarë e uzurpuar nga dherat ku inceneratori ka marrë 60 milionë euro. Nuk ka asnjë reagim nga SPAK duke parë disa viktima që janë marrë pjesë e evazionit fiskal. Pensionistë apo të vdekur që dilnin administratorë. 4 vjet më parë unë kam bërë të qartë inceneratorin e Tiranës. Para ca ditësh mësuat për serat në tokën e inceneratorit të ngritura me para të BE, për të marrë para nga taksapaguesit amerikanë për projekte që nuk ekzistonin.

Kam kërkuar të njihem me fashikujt, nuk më janë thënë. Kjo situatë do durim. Beteja nuk është me forcë. Do të krijohet një procedurë që më pas do të shkojë në Strasburg. Reforma në drejtësi ka probleme, është transformuar rrugës. Janë etapa që ne do t’i ndjekim”, tha Kryemadhi. 

Më tej, deputetja u kërkoi gazetarëve që mos të ngatërrojnë Ilir Metën me Erion Veliajn, pasi sipas saj Meta nuk flet çdo ditë me stafin e tij, siç bën Veliaj nga burgu.

“Po flisja me fëmijët e mi para se të shkoja te SPAK. Ju e dini shumë mirë që unë nuk komunikoj me zotin Meta, po zotin Meta mos e ngatërroni me Erion Veliajn që flet çdo ditë me stafin e tij dhe u përgjigjet edhe komentuesve “, tha Kryemadhi.