Nga Nahal Toosi “Politico.com”

Populizmi vazhdon të shkundë botën, por elitat nuk dinë se si të reagojnë

Davos, Zvicër – Për më shumë se një dekadë, forcat në ekstremet e ideologjive, e kanë dëmtuar jo pak strukturën politike globale. Dhe për po kaq kohë, figurat kryesore të Forumit Ekonomik Botëror, janë shumë të shqetësuara mbi rrezikshmërinë e madhe të këtij fenomeni.

Për bizneset që drejtojnë, por edhe vendet që qeverisin. Por edhe pse kanë kaluar vite nga fillimi i luftës transnacionale me valën e re të populizmit, drejtuesit e korporatave që u mblodhën së fundmi në Davos duket se nuk kanë ndonjë zgjidhje serioze.

Pas bisedave me shumë prej tyre, unë zbulova dorëzimin por edhe pafuqinë që ndihet midis drejtuesve të biznesit kur bëhej fjalë për homologët e tyre në qeveri. Ka një dëshirë të dëshpëruar që udhëheqësit politikë të botës, t’u drejtohen më shumë të moderuarve në vend se të përfitojnë nga ekstremet.

Por paralelisht, po pranohet se tregu politik nuk i shpërblen lehtësisht njerëzit që gjenden midis 2 rrymave. Shumë njerëz druhen se polarizimi, vetëm sa do të thellohet teksa gjysma e popullsisë globale, në më shumë se 60 vende, do të shkojë këtë vit në votime, nga Afrika e Jugut në Shtetet e Bashkuara.

Pasojat financiare mund të jenë të rënda, sidomos nëse rezultatet e zgjedhjeve kërcënojnë rrugët e transportit detar, apo kur retorika e ashpër në fushatë sjell zhytjen në dhunë të një vendi ku ata kanë investuar.

“Shqetësimi më i madh ka të bëjë me paqëndrueshmërinë – më tha drejtuesi ekzekutiv i një fondacioni të madh privat. 2024-a mund të jetë viti me më shumë zgjedhje në histori. Në shumicën e fushatave, po shpalosen ndjenjat populiste dhe nacionaliste, dhe këtu nuk bëjnë përjashtim as demokracitë kryesore si India.

Ata jo vetëm që nuk e shohin këtë si një moment për ta kthyer mbrapsht valën e populizmit, por ndihen si të mpirë dhe bllokuar në një qorrsokak. Disa prej tyre, thonë se druhen që të flasin për politikën, sepse si e djathta ekstreme por edhe e majta ekstreme i shohin ata si armiq.

Po ashtu, ata kanë përgjegjësi financiare ndaj aksionarëve, të cilët janë pjesë e kampeve të ndryshme politike. Ndaj duhet të jenë të kujdesshëm në marrjen e qëndrimeve të caktuara. Kreu i një kompanie të mallrave të konsumit, shprehu shqetësimin e tij për mesazhet e zymta që po përçojnë fushatat elektorale në të gjithë globin.

“Ajo që më shqetëson më shumë është fakti se se të gjitha narrativat janë negative”- më tha ky i fundit. Raporti i Rreziqeve Globale për vitin 2024 i Forumit Ekonomik Botëror,  thekson se përçarjet sociale janë bërë një shqetësim shumë i përhapur.

Të anketuarit, e renditën “polarizimin social dhe politik si të tretin ndër shqetësimet e tyre kryesore, pas fushata keqinfomuese të gjeneruara nga Inteligjenca Artificiale (AI), që renditen të dytat, dhe krizës së klimës që renditet në krye”.

Por edhe pse ata dëshirojnë që forcat e moderuara politike, të jenë më lart në mbështetje se ato ekstremiste, duket se ka pak ide se si mund të ndihmojë në këtë aspekt komuniteti i biznesit. Drejtuesi i  një kompanie të kujdesit shëndetësor – që foli në kushte anonimiteti pasi kjo çështje është e ndjeshme në sektorin e tij – më tha se përmes pasjes së një fuqie punëtore të madhe dhe të larmishme dhe inkurajimit të punës ekipore, ndoshta kompanitë mund të arrijnë t’i kundërvihen forcave politike destruktive.

“Ndërsa politika po dështon në bashkimin e njerëzve, atëherë kompanitë duhet të bëjnë me shumë në këtë aspekt. Shumë sfida, nga ndryshimi i klimës deri tek mënyra se si të arrihet një qasje e barabartë në kujdesin shëndetësor – mundësitë dhe sfidat – kanë nevojë për debat por edhe punë ekipore, dhe jo për polarizimin dhe jo për thjeshtëzimin e sfidave”- shtoi ai.

Ishte një ndjenjë e këndshme, por që nuk ngjall ndonjë shpresë të madhe. Sepse ashtu si shumica e analizave të tjera politike që u bënë në forumin e këtij viti, edhe kjo ide mund të ishte ndarë në çdo kohë në dekadën e kaluar. Nëse janë nxjerrë mësime nga dallgë më të forta të populizmit në botë – administrata e parë e Trump, presidenca e Bolsonaros në Brazil, Brexit etj, ato nuk u panë gjëkundi në Davos.

Një pjesë e problemit, mund të jetë numri i pazakontë i zgjedhjeve që rasti të mbahen brenda këtij viti. Madje disa drejtues qeverish, thonë se numri i madh i tyre, krijon një peizazh të pasigurt në biznes dhe fushën e enteve rregullatore, pasi politikanët i shtyjnë për për pas zgjedhjeve vendimet më të vështira dhe jopopullore.

Disa udhëheqës korporatash, pritet që t’i shtyjnë projektet e tyre të reja, derisa të kenë një ndjenjë se sa pro-biznesit do të jetë udhëheqja e re. Dhe natyrisht shqetësimi kryesor është mbi atë që mund të ndodhë në Shtetet e Bashkuara, ku Donald Trump ka shumë shanse të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë.

Udhëheqësit e korporatave, po ndjekin nga afër pikëpamjet e kandidatit kryesor të republikanëve mbi tarifat dhe praktikat e tjera ekonomike, të cilat janë shumë më izolacioniste edhe se ato të zbatuara aktualisht nga Joe Biden.

Pavarësisht rrugës që do të ndjekin pas nëntorit Shtetet e Bashkuara, zgjedhjet atje do të ndikojë edhe mbi politikat e qeverive të tjera. Kjo i nxit drejtuesit e biznesit të shtrojnë disa pyetje shumë bazike. “Shumë nga bizneset që kemi operojnë përtej kufijve. A është një vend pro apo kundër tregtisë së lirë?”- pyeti një drejtues i një instituti financiar.

Ndër ata që paralajmërojnë mbi rrezikun e vendosjes nga Trump të barrierave tregtare është Jeremy Hunt, Ministri i Financave i Britanisë së Madhe. “Do të ishte një gabim shumë i madh nëse do të riktheheshim tek politikat e proteksionizmit”- tha ai në Davos, kur u pyet mbi një rikthim të mundshëm të Trump në krye të SHBA-së.

Një çështje tjetër kryesore, është fati i Aktit të Reduktimit të Inflacionit të presidencës Biden, që po nxit investime të mëdha në energjinë e gjelbër në Shtetet e Bashkuara. Ekipi i Trump, ka treguar se planifikon ta anulojë këtë ligj. Në këto kushte, liderët e biznesit po pyesin veten nëse është apo jo koha e duhur për të vendosur paratë e tyre në Shtetet e Bashkuara apo vende të tjera të prekura indirekt nga ky ligj.

Sinqerisht, bisedat për biznesin ishin më të shumta se ato për politikën. Tek e fundit, ky është Forumi Ekonomik Botëror, dhe seancat kanë më shumë gjasa të fokusohen tek matjet e qëndrueshmërisë ekonomike apo taksat sesa tek skena politike.

Në Davos shumë të ftuar më thanë se kur flitet mbi mjedisin politik të këtyre ditëve, nuk të ndihmon aspak qënia miliarder, milioner apo thjesht shumë i pasur. Sepse, drejtuesit e ekstremit të majtë dhe të djathtë, shprehin vazhdimisht zemërim ndaj të pasurve, duke i fajësuar ata për problemet kryesore që ka sot bota.

“E djathta thotë se të gjithë janë nën kërcënim. E majta thotë se sistemi kapitalist është shfrytëzues”- më tha drejtuesit i një kompanie të mallrave të konsumit. Disa pjesëmarrës në forum, preferuan të fokusoheshin mbi aspekte më pozitive, duke i besuar logjikës së tregjeve për të mposhtur rrymat populiste.

Të tjerë vunë në dukje energjinë e rinovueshme si një zonë në të cilën forcat ekonomike, dukej se po e kapërcenin rezistencën politike, për shkak të rënies së kostove të shfrytëzimit të energjisë së erës, diellit dhe burimeve të tjera.

Administrata Biden dërgoi një delegacion me peshë në forum. Sekretari i Shtetit Antony Blinken dhe këshilltari për sigurinë kombëtare Jake Sullivan, mbajtën fjalimet e tyre dhe iu përgjigjën pyetjeve, edhe pse u fokusuan më shumë tek çështjet më të diskutuara.

Edhe nëse zyrtarët amerikanë do të kishin shpalosur disa ide të reja madhështore, shumica e njerëzve në Davos nuk do t’i kishin marrë ato shumë seriozisht. Sigurisht, jo deri në pikën e investimit të parave. Të pranishmit i analizojnë sondazhet, dhe e dinë se është e mundur që administrata e Biden mund të largohet në fillim të vitit 2025.

Te ngjashme