Erald Kapri

Hipokrizia me amnistinë penale

Prej ditësh, mediat kanë qëndruar në dyert e burgjeve duke intervistuar të sapoliruar nga amnistia. Lot gëzimi e histori njerëzore, a thua se ishin liruar të burgosur politikë.

Ajo që mungoi ndjeshëm ishte ana tjetër e historisë. Askush nuk u kujtua të tregojë viktimat e vërteta, ata që e kanë pësuar nga këta keqbërës. Por u kënaqën me faktin se të lirohesh nga burgu është njerëzore.

Por hipokrizia më amnistinë nuk ishte vetëm kjo anë, por edhe fakti se mes përfituesve janë edhe 100 individë që janë dënuar për korrupsion. Këtë fakt e pranoi më fund edhe ministri i Drejtësisë, që sipas tij, janë vetëm zyrtarë të vegjël.

Me përjashtim të votës së deputetit Agron Shehaj, i gjithë Parlamenti vendosi të miratojë amnistinë duke u falur apo ulur dënimet mijëra njerëzve.

Ende nuk ka asnjë bilanc të saktë se sa njerëz përfitojnë konkretisht, por pasojat e këtij akti amoral u ndjenë që në ditët e para. Një i sapoliruar nxitoi të vjedhë një makinë, ndërsa burimet policore saktësojnë se bomba në derën e gjyqtarit në Shkodër ka lidhje me amnistinë, pasi dyshohet si akt hakmarrje e një të sapoliruari.

E pra, kjo e vërtetë nuk ka asnjë akt human, përkundrazi vetëm një kalkulim politik. I rëndë është edhe fakti që opozita u bë pjesë e këtij pazari duke e votuar amnistinë syqorrazi.

Çdo herë që një kriminel lirohet pa mbaruar dënimin e tij të merituar, një polic, një prokuror, një gjykatës, një gazetar sheh se gjithë përpjekja është hedhur në kosh.

Në asnjë vend normal perëndimor nuk ka amnisti penale siç bëhet në Shqipëri. Krerët e shteteve kanë kompetencën për të dhënë falje, por gjithnjë individuale, dhe asnjëherë kolektive.

Kjo për arsyen e qartë se të dënuarit duhet të shlyejnë kokërr më kokërr dënimin e tyre ligjor, ndryshe çfarë mesazhi i jepet shoqërisë; mund të bësh krime, se nga burgu del shpejt.

Amnistia Penale u dha një mesazh të qartë organeve të reja të drejtësisë duke u prerë krahët. SPAK-ut iu tregua vija e kuqe. Pavarësisht përpjekjeve për të ndëshkuar korrupsionin, politika liron të dënuarit.

Një mesazh tjetër ishte edhe për ndërkombëtarët që kanë financuar dhe shtyrë para drejtësinë e re; ndalu beg se ka hendek.

Nën këtë sistem kënete, Shqipërisë i duhet e kundërta. I duhet një luftë e vërtetë kundër krimit dhe korrupsionit, politikanë të drejtë dhe kurajozë, drejtësi të pakapur dhe ndëshkim të korruptuarve.

Ndaj, hipokrizia e kësaj amnistie penale nxori zbuluar gjithë batakun ku janë futur pjesa më e madhe e politikës, medias e gjoja shoqërisë civile.

Shqipërisë i duhet një shoqëri që kujdeset për viktimën dhe jo agresorin.

Te ngjashme