Nga Minxin Pei “Bloomberg Opinion”

Pse Kina nuk po e fiton dot garën me Perëndimin për ndikim global


Kinës i pëlqen ta portretizojë veten si fuqia e madhe dhe më e preferuar e Jugut Global, ku bëjnë pjesë vendet në zhvillim, që përbëjnë shumicën e popullsisë së botës. Në sipërfaqe, një narrativë mund të shitet lehtë. Rrugëtimi i Kinës nga një komb i varfër në një superfuqi ekonomike në vetëm 4 dekada është një histori bindëse.
Vitet e fundit, tregtia dhe investimet e Kinës në vendet në zhvillim janë rritur me hapa të mëdhenj. Nisma triliona dollarëshe e presidentit Xi Jinping, Brezi dhe Rruga (BRI) e ka shndërruar Kinën në financuesen më të madh të projekteve të infrastrukturës në Jugun Global.
Megjithatë nëse i analizoni gjërat më nga afër, është e qartë se Kina nuk është dhe aq e përafërt me një mirëbërëse aq madhështore sa pretendon të jetë. Në betejën për ‘zemrat dhe mendjet’ në botën në zhvillim, fitorja e saj nuk është aspak e sigurt.
Pavarësisht suksesit ekonomik të Kinës në vend, dhe rritjes së ndikimit tregtar jashtë vendit, shuma aktuale e ndihmës zhvillimore që ofron Pekini për Jugun Global është në fakt mjaft modeste. Shembulli më i fundit i kurnacërisë së Kinës, është refuzimi i saj për të kontribuar në një “fond të humbjes dhe dëmtimit” të Kombeve të Bashkuara, për të ndihmuar vendet në zhvillim që janë më të cënueshme ndaj ndryshimeve klimatike.
Në konferencën për mbrojtjen e klimës COP28 në Dubai, vendet e pasura premtuan 700 milionë dollarë për këtë fond (megjithëse SHBA ofroi vitin e kaluar vetëm 17.5 milionë dollarë). Edhe pse është emetuesja më e madh në botë e CO2 në atmosferë, Kina nuk dha asnjë kacidhe, duke u justifikuar me qasjen e saj të vjetër se, si një vend në zhvillim, nuk është e detyruar ta ofrojë një mbështetje të tillë.
Për më tepër, Kina vështirë se mund t’ia kalojë Perëndimit në ndihmat për zhvillim, siç mund të mendojë shumëkush. Vendi ofron një pjesë të granteve (ndihma që nuk kërkojnë rimbursim) që SHBA dhe BE i ofrojnë aktualisht Jugut Global.
Në vitin 2021, Kina dha rreth 3.1 miliardë dollarë ndihmë dypalëshe për vendet në zhvillim. Sa për të bërë një krahasim, po në të njëjtin vit SHBA-ja dha 41 miliardë dollarë dhe BE-ja dha 70 miliardë euro (rreth 80 miliardë dollarë).
Në fakt, pjesa më e madhe e së ashtuquajturës ndihmë e Kinës, vjen në formën e huave të dhëna me norma interesi të reduktuara ose me vlerën e tregut. Vitet e fundit, Kina ka vazhduar “të bëjë qejf” duke kontribuar në rritjen e nivelit të borxhit për dhjetëra vende të varfra, duke e çuar atë në nivele të papërballueshme.
Sipas vlerësimeve të fundit, ajo ka shpenzuar 1.34 trilionë dollarë për të financuar infrastrukturën dhe projekte të tjera tregtare jashtë shtetit. Pjesa e granteve nuk bëhet e ditur, por ka shumë gjasa të jetë shumë e vogël. Gjithashtu, po të bësh një vëzhgim se kush janë përfituesit kryesorë të fondeve kineze, kupton se ato janë një tregues i qartë se konsideratat gjeopolitike drejtojnë axhendën ekonomike të Pekinit jashtë vendit, shumë më tepër sesa bujaria.
Rusia, partneri strategjik dhe më i madh i Kinës, kryeson listën me 169 miliardë dollarë kredi dhe investime kineze. Venezuela, një nga burimet kryesore më të mëdha të naftës dhe një aleat ideologjik, zë vendin e dytë (112 miliardë dollarë). Pakistani (70 miliardë dollarë) zë vendin e tretë, pasi Kina vazhdon të derdhë burime në këtë vend si kundërpeshë ndaj Indisë, pavarësisht keq-menaxhimit kronik që ky vend i bën ekonomisë së tij. Për shkak të vendndodhjes së tij të rëndësishme strategjike në Azinë Qendrore, Kazakistani ka marrë 64 miliardë dollarë. Ndërsa Kuba, edhe pse bën pak tregti me Kinën (vetëm 1 miliardë dollarë në vitin 2021), qeveria e saj ka marrë 7.8 miliardë dollarë ndihmë, kredi dhe investime kineze. Ndihma dhe kredi në shumën 17.7 miliardë dollarë ka dhënë Kina edhe për Kamboxhia, një shtet de fakto klient i Pekinit. Në rast se Kina perceptohet si një vend dashamirës dhe shumë bujar, kjo është kryesisht sepse Perëndimi duket i konsumuar nga “lodhja e të dhënit ndihma”. As narrativa e Kinës nuk është domosdoshmërisht një demagogji konvertuese. Nga pikëpamja ideologjike, ekonomia e fryrë kineze ka ngritur dyshime për modelin autokratik të zhvillimit të vendit. Nga pikëpamja financiare, Pekini ka bërë shumë gabime të kushtueshme në sigurimin e kredisë për jugun global. I është dashur të shlyejë apo ristrukturojë 78 miliardë dollarë kredi të BRI-së në tre vitet e fundit. Ngurrimi për të ofruar lehtësim borxhi për vendet në zhvillim, e ka dëmtuar më tej imazhin e tij.
Në rrafshin taktik, strategjia e Pekinit për joshjen e elitave qeverisëse duke financuar projektet e tyre prestigjioze – dhe duke iu ndërtuar falas pallate presidenciale, por edhe duke u bërë dhurata udhëheqësve autokratë – mund të distancojë qytetarët e këtyre vendeve, që ndjehen të frustruar nga udhëheqësit e tyre, dhe që shohin pak përfitime të drejtpërdrejta nga madhështia e Kinës.
Në vazhdim, Kina nuk ka të ngjarë të ruajë të njëjtin nivel ndihme dhe huadhënieje, sepse i duhen burime financiare për t’u përballur me problemet e saj ekonomike që janë gjithnjë e në rritje. Nga ana tjetër, në aspektin politik, ndihma e huaj është e papëlqyeshme në Kinë, një vend ku 200 milionë njerëz ende jetojnë me më pak se 5 dollarë në ditë (kufiri i varfërisë për një vend me nivelin e të ardhurave të Kinës).
Gjëja më e çuditshme në lidhje me bujarinë e Kinës ndaj vendeve të tjera, është se sa pak qeveria e reklamon atë për qytetarët kinezë. Larg humbjes së ndikimit në Jugun Global në favor të Kinës, Perëndimi gjendet në një pozicion konkurrues shumë më të fortë sesa mendojnë liderët dhe mediat e tij.
Sfida e tij e vërtetë është përballja me perceptimin e përhapur të standardeve të dyfishta perëndimore në çështjet ndërkombëtare. Ky është një problem, të cilin nuk mund ta zgjidhin paratë.


Shënim:Minxin Pei, kolumnist në Bloomberg dhe profesor i çështjeve të qeverisjes në Kolegjin Claremont McKenna.

Te ngjashme