Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe”

Nga Judy Dempsey “Carnegie Europe”
Parashikuesit e katastrofave janë sot shumë në modë. Ndërsa shumë vende evropiane – dhe Parlamenti Evropian – përgatiten të shkojnë këtë vit në zgjedhje, ekspertët dhe sondazhet po parashikojnë fitore të mëdha për partitë e ekstremit të djathtë dhe ato populiste.
Në Shtetet e Bashkuara, përveç rastit kur mund ta pengojnë gjykatat, ish-presidenti Donald Trump ndodhet në një pozitë të pakontestueshme për të marrë nominimin e Partisë Republikane si kandidati i saj zyrtar për në Shtëpinë e Bardhë.
Të gjitha këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme. Sepse ato kanë të bëjnë me konfirmimin e pikave të forta të sistemit demokratik. Po ashtu, kanë të bëjnë edhe me rolin e qytetarëve dhe mënyrën se si ata e shohin vendin e tyre. Por kanë të bëjnë edhe me udhëheqjen.
Prandaj rezultatet e tyre, do të përcaktojnë sigurinë e kontinentit të vjetër në të ardhmen. Aktualisht Evropa po përballet me shumë kriza, nga lufta e vazhdueshme e Rusisë kundër Ukrainës dhe Luftës së Izraelit kundër Hamasit, deri tek sulmet e rebelëve Huthi të mbështetur nga Irani ndaj anijeve tregtare që kalojnë në Detin e Kuq, sulme që mund të sjellin me pasoja të rënda për tregtinë globale.
Sado joshëse që mund të jetë, zgjedhjet e ardhshme për Parlamentin Evropian, nuk duhet të jenë një justifikim për t’u mbyllur në vetvete. Gjithsesi, kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet. Në përgjithësi votuesit shqetësohen për çështje si inflacioni dhe gjithnjë e më shumë për sfida si migrimi.
Gjithsesi, udhëheqësit kanë ende shanse që të diktojnë axhendën nëse kanë vullnetin dhe bindjen politike për të komunikuar me qytetarët mbi atë që është në lojë, ndërsa këta të fundit hyjnë në një vit që bart shumë pasiguri. Dhe në lojë janë dy sfida.
Në rast se ato nuk adresohen gjatë fushatave zgjedhore, unioni mund të braktisë çdo lloj ambicie të politikës së jashtme për të diktuar ndonjë ndryshim. Sfida e parë ka të bëjë me sovranitetin. Pas ndërtimit të një arkitekture evropiane të pas vitit 945, e inkurajuar fuqishëm nga Shtetet e Bashkuara, ngrehina evropiane rrezikon të shkatërrohet.
Megjithëse shtetet anëtare, lejuan me dëshirë dhe e kodifikuan në ligj transferimin e një shkalle të sovranitetit kombëtar tek institucionet në Bruksel, tani po shohim një kundër- reagim në disa vende të BE -së.
Pavarësisht nëse flasim për Hungarinë apo Holandën, Sllovakinë apo për partitë qeverisëse apo opozitare në Francë, Finlandë, Gjermani, Itali, ose Poloni, mbizotëron ideja dhe gjuha e sovranitetit kombëtar. Dhe e gjitha kjo s’ka të bëjë me largimin nga BE-ja, akt që zgjodhi ta ndërmerrte Britania disa vite më parë.
Këto forca nacionaliste, i njohin shumë mirë avantazhet financiare, ekonomike dhe sociale të të qenit pjesë e unionit. Por – dhe kjo është një dobësi e vërtetë e retorikës së tyre mbi sovranitetin – ata nuk e shpjegojnë saktësisht se çfarë nënkuptojnë me sovranitet përveç kufizimit të “ndërhyrjes” nga Brukseli.
Po ashtu, nuk e mbështesin integrimin më të ngushtë midis tyre, dhe as nuk sugjerojnë hapa se si do t’i bëjnë institucionet më të përgjegjshme dhe demokratike. Në fakt, koalicioni i ri qeveritar pro-BE në Poloni, i udhëhequr nga kryeministri Donald Tusk, nuk po nxiton të flasë për një BE më të integruar, sidomos në aspektin e politikës së jashtme.
Tusk nuk e ka qejf heqjen e vetos në lidhje me vendimet e ardhshme në politikën e jashtme, dhe të njëjtën qasje kanë edhe shumë vende të tjera. Ky aspekt i sovranitetit, përplaset me ambiciet e BE-së për të qenë një lojtare me peshë në skenën globale. Dhe këtu nis përballja me realitetin e hidhur. Bashkimi Evropian nuk është një lojtar global. Nëse do të ishte i tillë, do të kishte një politikë të besueshme të jashtme, të sigurisë dhe mbrojtjes. Do të ishte në gjendje të luante njëfarë roli në Lindjen e Mesme, ku gjatë viteve të fundit ka financuar Autoritetin Palestinez, aktualisht tejet të diskretituar, dhe ka krijuar lidhje të veçanta politike, ekonomike dhe teknologjike me Izraelin.
Reagimi jo i unifikuar i Evropës ndaj asaj që po ndodh midis Izraelit dhe Hamasit, konfirmon sërish mungesën e ndikimit apo strategjisë së saj prej disa dekadash në Lindjen e Mesme. Por Evropa mund të bëjë diferencën duke qenë një lojtare rajonale.
Meqë vizionet e saj mbi sigurinë, mbrojtjen dhe ato strategjike mbeten të dobëta dhe konfuze, ajo duhet të fokusohet më shumë në vendosjen e lidhjeve të mbrojtjes dhe sigurisë me NATO-n, sepse aftësitë civile të BE-së mund ta plotësojnë rolin ushtarak të aleancës.
Kjo qasje do t’i jepte kontinentit evropian një ndjenjë më të madhe sigurie dhe përgjegjësie, pikërisht në një kohë kur nuk mund të merret më si e sigurt “ombrella e sigurisë” e Shteteve të Bashkuara. Ndërkohë edhe një bashkëpunim më i afërt me NATO-n, mund të bëjë diferencën në Ukrainë.
Mbështetja politike dhe ekonomike e BE-së për Kievin ka qenë e lavdërueshme. Por ajo nuk mjafton. Premtimet për sigurimin e 1 milionë predha artilerie, nuk është mbajtur dot për shkak të mënyrës se si janë organizuar industritë e armatimit në Evropës. Kolektivisht BE nuk mund të sigurojë dot mbrojtjen.
Nga ana tjetër ka një sfidë tjetër, madje edhe më akute që duhet të adresojnë udhëheqësit e BE-së përpara zgjedhjeve evropiane. Ukraina është një vend fqinj me unionin. Rezultati i luftës atje, do të diktojë të ardhmen e kontinentit dhe rolit të Rusisë brenda tij. Ai do të ndikojë shumë mbi sigurinë e Evropës.
Megjithatë, kjo çështje nuk po u përcillet shumicës së qytetarëve të BE-së. Polonia, shtetet e Baltikut dhe Republika Çeke, e kuptojnë se për çfarë po zhvillohet lufta në Ukrainë, por jo disa vende të tjera të Bashkimit Evropian. Kur flitet mbi qëllimet e Rusisë, unionit i mungon ende një perceptim normal ndaj kërcënimit.
Ndaj është jetike një komunikimi më i mirë nga lart-poshtë mbi rëndësinë e mbështetjes së Ukrainës. Në rast se BE-ja nuk mund të angazhohet dot në një politikë të jashtme globale, ajo duhet të fokusohet të paktën në rajonin e saj. Ky është një shans që Evropa të arrijë të përmbushë disa prej ambicieve të saj.

Te ngjashme