Ndërtimet në Theth/ Rama sulmon sërish prokuroren: Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli”

Kryeministri i vendit, Edi Rama vijon sulmet dhe akuzat ndaj prokurores Elsa Gjeli, të cilën e cilësoi fajtore, pasi sipas tij duke mos nisur procedim penal lejoi ngritjen e paligjshme të fshatit turistik në zonën e Thethit në Shkodër.

Rama thekson se kabinat e “fshatit turistik të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike”.

Ai rikujton se pas presionit të tij, Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit Gjeli siç e quan ai dhe të dhënat do t’ia dorëzojë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

“Natyrisht që të gjitha kabinat e “fshatit turistik” të kriminelit që plagosi Thethin do i marrë shteti dhe skuadra e Bashkisë Shkodër nuk do të largohet nga Thethi pa e shëruar zemrën e qytezës magjike, ndërkohë që Ministria e Drejtësisë po përgatit denoncimin e skandalit “Gjeli” në Këshillin e Lartë të Prokurorisë”, shkroi Rama.

Më herët, Rama e akuzoi organet e drejtësisë, konkretisht prokuroren Elsa Gjeli, se ka refuzuar të hetojë rastin duke i bër dëm shtetit dhe qytetarëve shqiptarëve.

“Një krim i shumëfishtë për të cilin një prokurore e quajtur Elsa Gjeli ka refuzuar të hapë çështjen, duke hedhur në kosh denoncimin e Policisë së Shtetit”.

Megjithatë, Prokuroria e Shkodrës nuk vonoi shumë dhe mori në mbrojtje prokuroren Elsa Gjeli. Por për këtë rast, Prokuroria e Shkodrës thotë se nga faktet që ka referuar Policia e Shtetit, ato nuk përbëjnë ndërtim të paligjshëm dhe se ndjekja penale e një personi nuk varet nga vullneti apo dëshira personale, por nga ligjet dhe rregullat e Kodit të Procedurës Penale.