Ministria e Mbrojtjes njofton se situata në vend po shkon drejt normalizimit, pas reshjeve të shumta dhe erës së fortë që përfshiu vendin gjatë orëve të fundit.
Përmes një postimi në rrjete sociale, njoftohet se lumenjtë janë nën nivelin kritik dhe nuk paraqesin asnjë rrezik. Po ashtu Kaskadat e Drinit janë gjithashtu në nivele normale dhe pa asnjë shqetësim.
“Situata drejt normalizimit në vend. Pas reshjeve me intensitet të lartë që prekën disa zona të vendit, situata është qetësuar dhe po shkon drejt normalizimit. Lumenjtë janë nën nivelin kritik dhe nuk paraqesin asnjë rrezik. Kaskadat e Drinit janë gjithashtu në nivele normale dhe pa asnjë shqetësim. Qendrat e banuara nuk kanë pasur probleme serioze për shkak të reshjeve. Në disa raste të izoluara, pemë të rrëzuara nga era e fortë janë larguar nga strukturat operacionale të emergjencave civile në bashki”– thuhet ne njoftim.
Për sa i përket ndërprerjeve të energjisë elektrike për shkak të erës së fortë, ekipet e OSSH-së janë në terren dhe po punojnë për rikthimin e energjisë elektrike.
Situata mbetet në monitorim të vazhdueshëm nga Qendra Kombëtare Operacionale e Emergjencave Civil, në bashkëpunim me strukturat e mbrojtjes civile në prefektura dhe bashki.