Meta i kërkon prokurorit të SPAK të merret në pyetje për 21 Janarin

Ish-presidenti i vendit, Ilir Meta, i cili ndodhet në burg prej më shumë se një vitit kërkon që të merret në pyetje për 21 Janarin.

Meta i është drejtuar me një kërkesë prokurorit Alfred Shehu që të merret në pyetje si person në dijeni në lidhje me ngjarjen e ndodhur 14 vite më parë ku gjatë protestës para Kryeministrisë mbetën të vrarë 4 demonstrues.

Kërkesa e Metës është bërë përmes avokatit të tij, Kujtim Cakrani. Në Janar të 2011-ës, Meta ka qenë zëvendëskryeministër në qeverinë e Sali Berishës. Ndërkohë kujtojmë se protesta asokohe u thirr pas publikimit të një video mes Metë dhe ish-ministrit të ndjerë Dritan Prifti, ku bëhej fjalë për një korrupsion prej 700 mije eurosh.

Më herët, ka dëshmuar në SPAK ish-ministri i Brendshëm në atë kohë, Lulzim Basha, dhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Pas 14 viteve , ishte Gjykata e Lartë, që pas vendimit të “Strasburgut”, urdhëroi SPAK-un të hetonte ngjarjen, pas insistimit edhe të familjarëve të Aleks Nikës.

SPAK regjistroi procedimin penal për tre akuza: “vrasje në rrethana të tjera cilësuese” në bashkëpunim, “shpërdorim detyre” dhe “pengim të zbulimit të së vërtetës”, të gjitha të kryera në bashkëpunim.

Ziver Veizi, Aleks Nika, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj ishin 4 qytetarët që humbën jetën në 21 Janar të 2011-ës, ndërsa familjarët e tyre kërkojnë ende drejtësi.

Kujtojmë se 4 viktimat mbajnë statusin e “Dëshmorit të Atdheut”. E përgjatë këtyre viteve, familjarë, të afërm, si dhe politika bëjnë homazhe në Bulevard, ndërsa vendosin lule në vendin ku u vranë 4 protestuesit.