Merr fund saga Beleri, Apeli i GJKKO e dënon me 2 vite burg

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin me 2 vite burg për Fredi Belerin, kryebashkiakun e zgjedhur të Himarës, i cili u arrestua më 12 maj të vitit të kaluar, pas një denoncimi në Prokurori ku pretendohej se kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” ofronte 40 mijë Lekë për të blerë 8 vota, në zgjedhjet e 14 majit.

Me vendimin e sotëm, Beleri dënohet përfundimisht me 2 vite heqje lirie për veprën penale “korrupsion zgjedhor”.

Ndërkohë për Pandeli Kokaveshin është marrë vendimi për 3 vite shërbim prove, për shkak të problemeve të tij shëndetësore.

Vendimi i sotëm është marrë nga treshja e gjyqtarëve, Daniela Shirka (kryesuese), Dhimitër Lara dhe Iliriana Olldashi.

Çfarë pritet të ndodhë pas vendimit të formës së prerë?

Dënimi përfundimtar i Belerit i hap rrugën edhe zgjedhjeve të reja në Bashkinë e Himarës, kjo pasi kryeministri Edi Rama në daljet e tij ka thënë se në momentin që do të jepet edhe vendimi përfundimtar për Belerin, do të mbahen zgjedhjet e reja në këtë bashki.

Por me interes priten edhe kandidatët që do të garojnë për Himarën. Sekretari i “Omonia-s” Marin Suli deklaroi pak ditë më parë në një intervistë televizive se djali i Fredi Belerit, Petro Beleri do të kandidojë për të marrë drejtimin e kësaj bashkie, ndërsa nga socialistët nuk dihet ende se kush do të jetë i zgjedhuri i Ramës, edhe pse prej kohësh është folur për Vangjel Tavo. Ky i fundit ka aktualisht detyrën e prefektit të Vlorës.

Ende nuk ka një datë të caktuar se kur mund të mbahen zgjedhjet pas përfundimit të “telenovelës Beleri”, por burime bëjnë me dije se ato mund të zhvillohet në muajin korrik.

Ndërkohë është mësuar edhe lëvizja e radhës e mbrojtjes së Belerit, me këta të fundit që pritet të kërkojnë lirimin me kusht të tij.

Rikujtojmë se arrestimi dhe dënimi i Fredi Belerit, solli edhe tensionimin e marrëdhenieve midis Shqipërisë dhe Greqisë, me këtë të fundit që kërkonte lirimin dhe betimin e Fredi Belerit, si kryebashkiak.

Saga Beleri

Fredi Beleri u arrestua me urdhër të SPAK në 12 Maj të vitit 2023, vetëm 2 ditë përpara zgjedhjeve lokale, ku ai kandidonte nën siglën e koalicionit “Bashkë Fitojmë” të opozitës. Prokuroria e Posaçme e akuzonte për shitblerje votash, së bashku me Pandeli Kokaveshin, bashkëpunëtorin e tij.

Pavarësisht se ishte në burg, Fredi Beleri arriti të fitonte në zgjedhjet e 14 Majit, me një diferencë të vogël votash përballë kandidatit të mazhorancës, Jorgo Goros. Këtu fillon edhe kalvari i kërkesave për betim dhe lirim të tij.

Fredi Beleri dhe avokatët e tij kanë bërë përpjekje të mëdha për të marrë leje për t’u betuar si kryebashkiak i Himarës, por në asnjë rast GJKKO nuk e ka lejuar. Janë dhjetëra kërkesa që të lejohej vetëm për pak orë liri, por që të gjitha u refuzuan, si nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, ashtu edhe nga Apeli i Posaçëm.

Kërkesa për liri të përkohshme u bë edhe në Gjykatën e Lartë 3 herë, por sërish edhe ky institucion i drejtësisë nuk pranoi asnjë prej tyre, teksa e vetmja kërkesë që u pranua ishte lirimi për pak orë për të marrë pjesë në varrimin e gjyshes.

Ndërhyrja e Greqisë dhe vetoja për anëtarësimin në BE

Pavarësisht se kandidoi nën logon e “Bashkë Fitojmë”, mbështetja e opozitës ndaj Fredi Belerit ka qenë shumë e vogël, vetëm me disa deklarata pak deputetëve dhe me disa postime në rrjetet sociale.

Luftën e vërtetë me drejtësinë dhe kryeministrin Rama e bëri Athina zyrtare, e cila u përfshi edhe më shumë se ç’duhet në një çështje të brendshme të Shqipërisë. Fillimisht ambasadorja greke në Tiranë, që ishte pjesëmarrëse e rregullt e seancave gjyqësore të Belerit, ndërsa më pas u përfshinë edhe aktorët e mëdhenj të politikës greke.

Disa kryebashkiakë dhe ministra morën pjesë në protestën pro Fredi Belerit të zhvilluar në Himarë, ndërsa Ministri i Jashtëm Giorgos Gerapetritis kërcënoi Shqipërinë në fjalimin e mbajtur në një konferencë ndërkombëtare se Greqia “nuk mund të pranojë vende kandidate që nuk plotësojnë kriteret e anëtarësimit dhe kryesisht parimet thelbësore të bashkësisë evropiane si demokracia dhe shteti ligjor”.

Eurodeputet apa kryebashkiak?

Mbështetjen Greqia e shfaqi edhe në momentin kur kryeministri Kyriakos Mitsotakis, e futi Belerin në listën e kandidatëve për eurodeputet, ku edhe fitoi.

Megjithatë Beleri ishte i qartë, se mes eurodeputetit dhe kryebashkiakut do të zgjidhte këtë të fundit. Por pas vendimit të Apelit, ajo që i mbetet është posti si eurodeputet.