Megaoperacioni i SPAK/ Masa sigurie për 21 persona, mes tyre ish-gjyqtar, zyrtar i lartë policie dhe dy gazetarë

SPAK ka dalë me një njoftim zyrtar në lidhje me megoperacionin e orëve të fundit dhe masat e sigurisë për 21 persona, të cilët janë pjesë e një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare. 

SPAK zyrtrarisht njofton se ka lëshuar 21 masa sigurie, 18 prej të cilave “arrest me burg”, ku bëjnë pjesë ish gjyqtar, zyrtarë të lartë policie dhe dy gazetarë.

Ndërkohë masa “arrest në shtëpi’, është dhënë për avokaten e grupit të Suel Çelës, Blerina Beqiri. Ndërsa për dy gazetarët Elton Qyno dhe Artan Hoxha është caktuar masa e detyrimit me paraqitje.

Kujtojmë se gjatë aksionit u ushtruan kontrolle në bizneset e të kërkuarit të drejtësisë, Suel Çela, ndërkohë që u ‘bastisën’ banesat e dy ish-gjyqtarëve, Zihni Shahu dhe Taulant Tafa.

Një mase e re është dhënë edhe për Dedan Gjonin, ish shefin e krimeve të Komisariatit nr. 6 në kryeqytet, i arrestuar një vit më parë në kuadër të operacionit ‘Metamorfoza 2’, i akuzuar për sigurimin e kushteve për vrasje.

Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë, i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.  

Njoftimi i SPAK: 

‘Në kuadër te hetimit të një organizate kriminale me shtrirje ndërkombëtare, me kërkesë të Prokurorisë se Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkalles së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar masat e sigurisë për 21 persona, ku përfshihen anëtarët e  organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyre gjatë kryerjes së aktivitetit kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

Masat e caktuara të sigurisë janë si më poshtë:

Arrest me burg –  18 persona (përfshire ish gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë së shtetit);

Arrest në shtëpi –  1 avokat;

Detyrim paraqitje në policinë gjyqësore –  2 gazetarë.

Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë, i cili po mbështetet nga Europol dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, është në vijim.  

Me qëllim ruajtjen e integritetit të këtij operacioni, Prokuroria e Posaçme do të publikojë më shumë të dhëna rreth këtij hetimi ditën e nesërme.;