Malli i Kadaresë për Kosovën

Rrebeshi i shiut na zuri nën tendë, kur po flisnim për Panairin e Librit që u mbyll dje pasdite në Prishtinë. Kadare u largua qysh të enjten, por prania e tij ende ndihej ngado. Nëse këtë ndjenjë do ta përcaktonim vetëm me një fjalë, ajo do të quhej: mall. E prekje, e ndieje, e rrokje mallin për shkrimtarin e dashur kudo, në panair, në rrugë, në hotel, shkolla, zyra, kafene, librari. Ia shpreha të gjitha këto, dhe vëreja po të njejtën ndjenjë te ai.

U kujtova se si shumë vite më parë, ndërsa përgatisnim për botim një vëllim poetik, iu luta poetit Ali Podrimja të shkruante një parathënie.

Dhe sot e kësaj dite, nuk e kam harruar analizën e tij brilante për një lirikë dashurie si poezia “Mall”, e cila fillon me vargun e famshëm “Ca pika shiu ranë mbi qelq”. Në mendjen dhe shpirtin e poetit të shquar të Kosovës nuk ishte vetëm dashuria e një djali për një vajzë, por ishte malli i Kosovës për Shqipërinë! Ja si e analizon:
“(Ri)lexojeni poezinë “Mall” dhe ndaluni te thënia e Heraklitit: Dhe thënia e vjetër e Heraklitit:«Të zgjuarit janë bashkë në botë, Kurse të fjeturit janë veç». Thënie kjo e njohur, e që Kadare ia gjen vendin diku në strofën e tretë të poezisë së lartpërmendur. Nuk iu zgjon kjo asociacione me mbylljen tonë një gjysmëshekulli, se vërtet tepër gjatë ishim në gjumë, as veten nuk e njihnim se na mungonte kurajoja? Shikimi ynë thyhej aty te muri.”

Si asnjëherë kjo analizë e poetit të shquar për sivëllain e tij, m’u duk sot kaq e saktë dhe po aq prekëse. Malli i Kosovës për Kadarenë dhe malli i poetit për të. Nuk do të shuhet kurrë.

Bujar Hudhri

Bar Juvenilja, e hënë, 12 qershor 2023