Lamtumirë në heshtje për Agim Docin, artisti që institucionet “harruan” ta vlerësojnë

Ditën e sotme i është dhënë lamtumira e fundit, në ambientet e një agjencie funerale, Agim Docit, artistit të madh i cili shkroi të paktën 3 mijë tekste këngësh, nga ato që i kanë rezistuar viteve e kohës.

Agim Doci mbante titullin “Mjeshtër i Madh” të cilin ia kishte dhënë presidenti Bujar Nishani, mirëpo ndryshe nga artistët e tjerë që mbajnë këtë titull, institucionet nuk kanë hapur dyert për homazhet në nder të tij.

Ndryshe nga ç’ndodh zakonisht kur humb jetën një “Mjeshtër i Madh”, dhe ku homazhet bëhen në ambientet e RTSH ose të Muzeut Historik Kombëtar, Agim Doci u përcoll megjithatë mes shumë miqve e dashamirësve, pa shumë zhurmë, paqësisht, në banesën e fundit.

Sa ishte gjallë, Agim Docit nuk iu dha as pensioni i posaçëm që qeveria vendosi për të gjithë emrat e mëdhenj të artit në vend, mirëpo siç deklaronte ai tre vite më parë “Pensionin e posaçëm e akordon kryeministri”.  “Po sa të jetë Edi Rama unë nuk kam për të marrë pension të posaçëm. Se e dua sa më don. Ai nuk më do dhe as unë s’e dua”, shprehej poeti gjatë një dalje televizive.

Por përveçse institucionet nuk bënë asgjë për t’i hequr brengat financiare, kryeministri nuk bëri asnjë reagim ngushëllues për mjeshtrin e penës, në profilet e tij në rrjetet sociale.

Doçi ka bërë shumë për luftën e Kosovës, kuptohet, për mes vargut patriotik dhe nuk gjendet asnjë tjetër ta ketë dashur Kosovën me aq shpirt siç e donte ai në Shqipëri.

Edhe pse mirditor Agim Doçi kishte zgjedhur Pogradecin, për të kaluar vitet që I kishin mbetur. Pranë liqenit të Lasgushit gjente paqe shpirti i tij poetik, deri të shtunën kur pësoi aty një goditje cerebrale.

“Sa isha gjallë më ndenjën ftohtë
Nuk e kuptoja çfarë kisha bërë
Doja nga njerzit një fjalë të ngrohtë
Vetëm më iku, jeta e tërë…” shkruante poeti në një nga poezitë e tij të mëdha.

Agimi, që citonte Fishtën iku, por veprat e tij mbeten të pavdekshme, dhe mungesa e një organizimi dinjitoz nga institucionet nuk do ia zbehë kurrë madhështinë e jashtëzakonshme që do mbetet shumë më gjatë se sa kjo klasë politike, të cilën shpesh e ironizoi sa ishte gjallë.