Kushtetuesja vendos sot për rrogat e gjyqtarëve, thirrja e Ramës: Uroj që GJK të mos e kthejë në turp kombëtar

Kryeministri Edi Rama ka bërëi një reagim në lidhje me kërkesën e gjyqtarëve për rritje pagash, teksa kjo çështje po shqyrtihet sot në Kushtetuese.

Teksa GJK pritet që të jap vendimin për këtë kërkesë, Rama në reagim e konsideron si një farsë të shëmtuar.

Sipas Ramës, gjyqtarët kërkojnë të sigurojnë me vendim gjykate të drejtën për rritje automatike të pagave sa herë rriten pagat e kategorive të tjera.

“Ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar”- thotë Rama në reagimin e tij.

Reagimi i Ramës:

Sot Gjykata Kushtetuese po zhvillon (fatkeqësisht pa transmetim direkt për shkaqe teknike) farsën më të shëmtuar të imagjinueshme, e cila i është imponuar nga dy shoqata gjyqtarësh, të cilët duan të rrisin rrogat e tyre me gjyq, duke thyer piramidën shtetërore të pagave, ndërkohë që janë kategoria më e lartpaguar në Shqipëri, si rezultat i mbështetjes që kjo shumicë qeverisëse i dha për hir të Reformës në Drejtësi pushtetit gjyqësor!

Tani këta duan që në përjetësi t’u jepet e drejta ta rrisin vetë rrogën sa herë rriten pagat e tjera, pra Shqipëria të jetë përgjithmonë i vetmi vend në botë ku gjykatësit paguhen më shumë se sa çdokush tjetër duke marrë kompetencat kushtetuese të qeverisë e të parlamentit për politikën e pagave – ky është një skandal logjik, moral, ligjor dhe kushtetues, të cilin uroj që Gjykata Kushtetuese të mos e lejojë kurrësesi të kthehet në një turp kombëtar!

Respekte për SPAK-un që nuk iu bashkua kësaj marrëbabëzie në emër të pavarësisë së gjyqësorit